Si Shtab Qendror, kemi vendosur të anulojmë të gjitha aktivitetet elektorale të z. Ali Ahmeti për ditën e premte, duke konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën gjithëkombëtare në Tiranë – në mbështetje të çlirimtarëve, bashkëthemeluesve të tij të UÇK-së së lavdishme.
Ky është një akt solidariteti kombëtar, por edhe një kujtesë për ata që harrojnë se liria dhe të drejtat nuk dhurohen – ato fitohen me sakrificë.
Në këto javë, Aleanca Kombëtare për Integrim qëndroi me dinjitet, me qetësi dhe me ofertë konkrete për qytetarët.
Ne nuk u morëm me shpifje, me fushata të zeza apo me manipulime.
Folëm me gjuhën e fakteve, të vizionit dhe të përgjegjësisë.
Fushatën tonë e ndërtuam mbi besimin, jo mbi frikën.
Fatkeqësisht, kundërshtarët tanë zgjodhën rrugën tjetër – rrugën e shpifjeve, të fabrikimeve dhe të skenarëve të errët.
Në vend të ideve, ofruan shpifje e gënjeshtra; në vend të projekteve, shpikën skandale; në vend të garës për zhvillim, nxitën përçarje.
Që në fillim, vetë Kryeministri deklaroi se “esenca e këtyre zgjedhjeve është zhdukja e BDI-së nga skena politike”, dhe më pas foli për “pensionimin politik të Ali Ahmetit”.
Kjo nuk është thjesht gjuhë politike – kjo është nostalgji për një kohë kur shqiptarët duhej të ishin nën urdhra e jo bashkëvendimmarrës.
Por ajo kohë ka mbaruar.
Shqiptarët nuk do të kthehen më kurrë në vasalë të vullnetit të të tjerëve.
Ne kërkuam transparencë, përgjegjësi dhe veting të plotë – edhe për proceset që disa i konsiderojnë tabu: nga privatizimi e deri te shërbimet sekrete që kanë operuar kundër shqiptarëve.
Dhe ata që flasin për korrupsion, heshtën – sepse e dinë se “pallati i bardhë” prej nga flasin është simboli më i madh i korrupsionit në këtë vend, i dëshmuar me aktgjykime gjyqësore.
Në Kërçovë e në Butel po provojnë sërish ta kthejnë garën në përplasje etnike, sepse s’kanë ofertë, s’kanë projekte dhe s’kanë vizion.
Por këtë skenar e njohim mirë.
Kur nuk munden të fitojnë me ide, shpikin, montojnë dhe shpërndajnë dezinformata – me shpresën se qytetari do ta humbasë besimin.
Por qytetari shqiptar nuk mashtrohet më.
Ai e di kush ka qëndruar me të në ditët e vështira dhe kush kujtohet vetëm në prag të zgjedhjeve.
Sot, në këtë fushatë, po lind një besëlidhje e re – një besëlidhje e shpresës, e dinjitetit dhe e rikthimit të besimit te forca e popullit.
Qytetarë nga të gjitha shtresat, madje edhe ish-përkrahës të VLEN-it, po na bashkohen dhe thonë hapur:
“Shpresuam në ndryshim, por përfunduam në zhgënjim e nënshtrim.”
Të nderuar qytetarë,
19 tetori nuk është vetëm datë zgjedhjesh – është referendum!
Referendum për rikthimin e dinjitetit, për barazinë e plotë, për progresin dhe drejtësinë.
Më 19 tetor, shqiptarët do të flasin qartë – do të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre politikë, jo të emëruarit nga Mickoski apo nga boshti i tij politik.
Ky është momenti ynë i bashkimit, momenti ynë për ta vulosur me votë dinjitetin, barazinë dhe drejtimin evropian të vendit.
19 tetori është referendumi i shqiptarëve për të ardhmen!
Fushata mbyllet, por rruga jonë sapo ka filluar.
Rruga e Aleancës Kombëtare për Integrim është rruga e drejtësisë, e dinjitetit dhe e bashkimit – rruga që s’e ndal askush, sepse është rruga e popullit.
“Ka kohë kur heshtja është frikë, dhe kohë kur fjala bëhet liri.
Sot është koha për fjalën tuaj – votën tuaj.”