AKI shpërthen pas refuzimit të ankesave të KSHZ: Vullneti i qytetarëve të Gostivarit nuk blihet dhe nuk manipulohet!
Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) – Dega e Gostivarit reagon pas vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe Gjykatës Administrative, të cilat rrëzuan ankesat tona për parregullsitë zgjedhore në Gostivar.
Pas inxhinierimit zgjedhor dhe bojkotit të organizuar nga partitë në pushtet, të cilat ushtruan presione e shantazhe ndaj qytetarëve për të mos dalë në votime, rezultati i tyre ishte minimal. Vetëm për 21 vota arritën të çojnë një qytet të tërë drejt rivotimit, (ripërsëritjes së zgjedhjeve).
Edhe pse në ankesat tona ishin të evidentuara qartë parregullsi dhe gjetje që, në rast se do të merreshin parasysh, do të ndikonin në arritjen e censusit, organet zgjedhore si Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe Gjykata Administrative, hodhën poshtë si të pabazuara.
Megjithatë, vullneti i qytetarëve të Gostivarit është i padiskutueshëm. Gostivari foli qartë dhe fuqishëm duke dhënë mbi 16,949 vota për kandidatin e AKI-së, Valbon Limanin, një diferencë historike prej 13.000 votash nga kandidati i VLEN-it. Po ashtu, lista e AKI-së për Këshillin Komunal mori 12.750 vota, me një diferencë prej gati 10,000 votash nga lista për Këshillin Komunal nga VLEN, duke dëshmuar përkrahjen e madhe qytetare dhe besimin në vizionin tonë për zhvillimin e Gostivarit.
Urojmë që Komisioni Shtetëror Zgjedhor sa më shpejt të caktojë datën e rivotimit, në përputhje me afatet ligjore më së voni prej 60 ditësh, në mënyrë që procesi të përmbyllet me transparencë dhe dinjitet demokratik.
Gostivari do të flasë edhe një herë, me zë edhe më të fuqishëm.
Fjala e qytetarëve nuk ndalet dhe vullneti i tyre nuk manipulohet.
Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) – Dega Gostivar