Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, përmes një statusi në Facebook, ka bërë thirrje për mobilizim mbarëkombëtar në mbështetje të çlirimtarëve të UÇK-së, duke paralajmëruar një tubim të madh më 17 tetor, në ora 17:00, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Në mesazhin e tij emocional dhe të fuqishëm, Ahmeti shprehet se nga Kosova e luftës për liri, në Maqedoninë e Veriut që mbajti gjallë idealin kombëtar, e deri te Shqipëria dhe diaspora shqiptare – është koha që zëri i një kombi të bashkuar të dëgjohet fuqishëm.

“Nga Kosova që ngriti pushkën për liri, deri në Maqedoninë e Veriut që mbajti gjallë idealin kombëtar; nga Shqipëria që u bë strehë e shpresës, deri në çdo cep të diasporës ku rreh një zemër shqiptare, të gjithë si një trup, si një zë, si një shpirt: BASHKË!”, shkruan Ahmeti, njofton TS.

Ai thekson se ky tubim është një thirrje për drejtësi ndaj çlirimtarëve dhe për nderimin e sakrificës së atyre që luftuan për lirinë e popullit shqiptar.

“Do të jemi aty për të nderuar sakrificën, për të mbrojtur të vërtetën, për të dëshmuar se gjaku i derdhur për liri nuk harrohet, nuk nëpërkëmbet, nuk gjykohet padrejtësisht!”, vazhdon më tej ai.

Në fund të reagimit të tij, Ali Ahmeti përmbyll me një mesazh të qartë:

“Sot, më shumë se kurrë, është koha të themi me zë të lartë se liria ka emër – dhe ai emër është UÇK! Sepse UÇK-ja nuk është vetëm histori, ajo është gjaku ynë, krenaria jonë, amaneti ynë.”

Tubimi i paralajmëruar në Tiranë pritet të jetë një manifestim i fuqishëm përkrahës për çlirimtarët, në një kohë kur ndaj disa prej figurave kyçe të UÇK-së po zhvillohen procese gjyqësore ndërkombëtare./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com