Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendësministrin Jovica Andovski, sot vizituan Spitalin e Përgjithshëm në Prilep, me rastin e promovimit të pajisjeve të reja mjekësore në vlerë mbi 50 milionë denarë.
“Me pajisjet e reja mjekësore po forcohen kapacitetet e këtij institucioni publik shëndetësor. Pjesa më e madhe e pajisjeve është e destinuar për repartin e gjinekologjisë dhe obstetrikës dhe përfshin aparatura moderne dhe karrige të reja gjinekologjike, me çka krijohen kushte më të mira për punë dhe trajtim. Për herë të parë në Prilep po fusim laparoskopinë dhe histeroskopinë, që përbën një hap të madh përpara në kujdesin shëndetësor gjinekologjik dhe obstetrik. Me këtë, pacientet nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë në qytete të tjera për këto lloj ndërhyrjesh”,- informoi ministri Aliu.
Për repartin e gjinekologjisë është siguruar një elektrokauter digjital – aparat modern për ndërhyrje kirurgjikale të sigurta dhe precize, si dhe për kontroll të gjakderdhjes.
Pas më shumë se 15 vitesh, janë rinovuar plotësisht edhe karriget gjinekologjike për kontroll dhe lindje, të cilat ofrojnë një standard më të lartë komoditeti dhe sigurie për nënat dhe stafin mjekësor.
“Përveç pajisjeve të reja, është në vijim edhe procedura për punësimin e 124 personave me kontratë të përhershme, prej të cilëve 21 janë mjekë, 49 infermierë, 34 punëtorë spitalorë, 6 fizioterapistë dhe kuadër tjetër mjekësor dhe jomjekësor. Këto investime përbëjnë një hap të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Shëndetësisë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe sigurimin e kushteve moderne për trajtimin dhe diagnostikimin e pacientëve”,- theksoi Aliu.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com