Në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës sot i filloi punimet “Java e Veçantë Studimore 2025”, e cila do të zhvillohet deri më 31 tetor 2025. Ky aktivitet organizohet në bashkëpunim me Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar. Tema qendrore e këtij viti është “Nga ideja te suksesi: Menaxhimi efektiv i projekteve”. Kjo veprimtari ofron mundësi për studentët dhe pedagogët që të eksplorojnë praktikat më të mira në zhvillimin dhe realizimin e projekteve akademike dhe profesionale.
Në hapjen solemne ku ishin të pranishëm Kryetari i Senatit të UT-së, Prof. Dr. Qenan Ferati, Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektorja për Financa, Prof. Dr. Aida Baftjari – Yzeiri, Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, profesorë dhe studentë, dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi tha se jetojmë në një periudhë ku zhvillimi profesional, akademik e institucional nuk mund të imagjinohen pa aftësinë për të konceptuar, planifikuar, menaxhuar dhe vlerësuar projekte. “Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, ku sfidat sociale, edukative dhe teknologjike kërkojnë zgjidhje kreative, zotërimi i njohurive dhe kompetencave në menaxhimin e projekteve është çelësi i suksesit, si për individin, ashtu edhe për institucionin.” – u shreh fillimisht dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Më tej, ai e shpalosi agjendën e aktiviteteve të Javës së Veçantë Studimore 2025: “Kjo javë do të zgjasë pesë ditë, nga e hëna deri të premten, dhe do të përfshijë aktivitete dinamike, praktike dhe interaktive. Sot dhe nesër, partneri ynë ka angazhuar z. Metin Muaremi, për të realizuar trajnimin dyditor për studentët e viteve të treta dhe të katërta të të gjitha programeve studimore të Fakultetit Pedagogjik. Ky rajnim do të ofrojë njohuri konkrete mbi mënyrën e hartimit, menaxhimit dhe vlerësimit të projekteve. Të mërkurën dhe të enjten, stafi i Fakultetit Pedagogjik do të realizojë punëtori me studentët të ndarë në 10 grupe pune, me ç‘rast do të hartojnë projekte reale në fusha të ndryshme të arsimit. Të premten, në oborrin e Universitetit të Tetovës, do të kemi kënaqësinë të promovojmë rezultatet e punës suaj, të gjitha projektet e përfunduara, si dhe do të shpallim tre projektet më të mira të JVS 2025, duke përmbyllur kështu këtë javë të rëndësishme akademike. Këto pesë ditë janë një mundësi e artë për studentët, për të zhvilluar kompetenca praktike, për të testuar idetë tuaja, për të ndërtuar bashkëpunime dhe për të rritur besimin në aftësitë tuaja. Uroj që këtë javë ta shfrytëzoni maksimalisht për formësimin tuaj profesional dhe personal, për forcimin e kapaciteteve tuaja në përgatitjen, menaxhimin dhe vlerësimin e projekteve, si dhe për ta parë veten si krijues të ndryshimeve pozitive në arsim dhe në shoqëri.” – tha dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Drejtori i Qendrës Maqedonase për Edukim Qytetar, z. Besnik Ramadani u shpreh se ndihet i kënaqur që qendra e tyre këtë vit është partner i Javës së Veçantë Studimore dhe uroi që studentët ta shfrytëzojnë këtë mundësi që të punojnë në mënyrë praktike, të dinë se si një projekt vjen nga ideja, te planifikimi, implementimi, buxhetimi dhe në fund evaluimi i rezultateve. Ai tha se për këtë arsye i pranishëm është edhe z.Metin Muaremi, trajnues i cili ka përvojë më shumë se 20 vjet në menaxhimin e projekteve dhe u sugjeroi studentëve që ta shfrytëzojnë në maksimum me pyetje sepse kanë se çfarë të mësojnë prej tij.
“Java e Veçantë Studimore 2025”, është dëshmi se Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës hapëron drejt vizionit për t’u bërë model në realizimin e projekteve vendore dhe ndërkombëtare, gjithmonë në interes të studentëve dhe stafit akademik të Universitetit të Tetovës.



