Kandidati për kryetar të Komunës së Kërçovës nga koalicioni VLEN, Fatmir Limani, mbajti tubimin përmbyllës në qendër të qytetit, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Tubimi u ndoq nga qindra qytetarë, përfaqësues të koalicionit dhe figura të larta politike, ku u prezantuan idetë, prioritetet dhe zotimet e kandidatit për drejtimin e ardhshëm të komunës. Në fjalën e tij, Limani theksoi se kandidatura e tij nuk është thjesht një ofertë politike, por një mision i bazuar në përvojë, përkushtim dhe lidhje të thellë me qytetin:
“Gjaku i derdhur për këtë vend nuk është vetëm kujtim, por një obligim i përhershëm për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Ai është vula morale mbi çdo premtim që japim. Ne nuk kërkojmë besimin tuaj me fjalë boshe – por me përkushtim të sinqertë, përgjegjësi reale dhe respekt të thellë për çdo sakrificë që është bërë për Kërçovën. Më 19 tetor, kërkoj mbështetjen tuaj për të ecur përpara, me dinjitet, drejtësi dhe vizion të qartë për zhvillim.”
Në tubim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili vlerësoi kontributin e Limanit në qeveri dhe rëndësinë që ka kandidatura e tij për të ardhmen e Kërçovës:
“Fatmir Limani ka qenë një nga ministrat më të mirë dhe më të përkushtuar në qeveri. Ai ka qenë një nga zërat më të fortë për drejtësi dhe integritet në qeverisjen qendrore. Edhe pse do të na mungojë në kabinet, është më se e qartë se ai i duhet Kërçovës. Vizioni dhe përkushtimi i tij janë garanci për një kthesë të vërtetë në nivel lokal.”
Bilall Kasami, kreu i Lëvizjes BESA dhe kryetar i Tetovës para të kërçovarëve theksoi:
“Fatmir Limani ka një energji të jashtëzakonshme dhe një vullnet të pashoq për të punuar për të mirën publike. Ai nuk ka kandiduar për ambicie personale, por sepse ndien një përgjegjësi reale ndaj qytetit të tij. E njoh nga afër përkushtimin e tij dhe jam i bindur se Fatmiri do të arrijë për Kërçovën më shumë se sa kam arritur unë për Tetovën. Dhe këtë e them me plot bindje, sepse ai punon me zemër dhe me vizion.”
Zekirija Ibraimi, kryetar i partisë Alternativa dhe një nga drejtuesit e koalicionit VLEN, theksoi lidhjen emocionale dhe njerëzore të Limanit me qytetin që kërkon të udhëheqë:
“Fatmiri nuk është thjesht kandidat – ai është biri i Kërçovës. Çdo natë është kthyer nga Shkupi për të fjetur në shtëpinë e tij këtu, pranë nënës së tij. Ky nuk është vetëm një gjest personal – është dëshmi e lidhjes së thellë dhe e përgjegjësisë që ai ndien për këtë qytet.”
Fjalim të fuqishëm mbajti edhe Teuta Ahmedi Purellku, bartëse e listës së VLEN për Këshillin Komunal, e cila theksoi nevojën e madhe për një qasje të re në menaxhimin lokal:
“Kërçova nuk mund të përballojë më një qeverisje që nuk i dëgjon qytetarët dhe nuk u jep llogari. Ne kemi nevojë për institucione që funksionojnë me transparencë, ndershmëri dhe në interes të përbashkët. Ky transformim nuk mund të vijë nga të njëjtët që e kanë sjellë gjendjen deri këtu. Ndryshimi fillon me Fatmir Limanin dhe ekipin e VLEN – një ekip që është i gatshëm të punojë për qytetarët dhe jo për interesa të ngushta politike.”
Pas saj, mori fjalën Ajhan Sulkovski, kandidat për këshilltar dhe përfaqësues i komunitetit turk, i cili dha një mesazh të qartë për bashkëjetesë dhe përfshirje të të gjithëve në proceset vendimmarrëse:
“Kërçova duhet të jetë një qytet për të gjithë, pa dallime etnike, politike apo fetare. Kjo është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një bashkëjetesë të shëndetshme dhe një të ardhme të përbashkët. Ne kemi nevojë për një qeverisje që bashkon dhe jo që ndan. Koalicioni VLEN dhe Fatmir Limani e mishëron këtë frymë dhe unë jam krenar që jam pjesë e ekipit të tij.”
Në përmbyllje të tubimit, Fatmir Limani u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 19 tetorit, duke theksuar se ky është një moment vendimtar për të ardhmen e komunës:
“Përtej fjalimeve, ne qëndrojmë pranë qytetarëve me përmbajtje dhe përgjegjësi. Edhe kur fushata është ashpërsuar, ne kemi ruajtur etikën dhe qetësinë, sepse besojmë se ndryshimi nuk ndërtohet me zhurmë – por me përkushtim, vepra konkrete dhe bashkëpunim të sinqertë. Të ecim përpara – së bashku!”
Atmosfera në tubim arriti kulmin kur në skenë u ngjitën gjashtë votues të rinj, të cilët do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës në zgjedhjet e 19 tetorit. Me vendosmëri dhe energji rinore, ata shprehën mbështetjen e tyre për kandidatin Fatmir Limani, duke dhënë mesazhin se gjenerata e re kërkon ndryshim dhe angazhim të vërtetë për Kërçovën.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com