Reperi i njohur Fero, në një intervistë për emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ka folur hapur për sfidat dhe vështirësitë që ka përjetuar në fillimet e karrierës, për bujën që shoqëroi marrëdhënien dhe ndarjen me ish-bashkëshorten e tij Arbenita Ismajli, si edhe për statusin e tij aktual dhe përkushtimin e plotë ndaj muzikës.
Fero e pranoi se në të kaluarën kishte bërë gabime, për të cilat është penduar, dhe për të dalë nga ato vështirësi kishte pasur një rol të madh, angazhimi i tij në fe.
“Me të tregu drejt, unë [si dola] është, [nga] ndihma që e kam pasur pak prej religjionit, fesë, kur kam nisë me u merr me religjion, edhe kjo ka qenë ndihma ime për me u largu prej gjërave të këqija se automatikisht nëse e dinë që një djalë apo një vajzë është duke u marrë me fe, automatikisht ai e ka një mburojë… sepse ai më pas është i fokusuar vetëm tek gjërat e mira. Dhe kjo ka qenë njëfarë mburoje për mu”, ka deklaruar Fero.
I pyetur nga Arbana se si i ndodhi ri-zgjimi dhe pikënisja e tij në fe, Fero ndau me publikun një detaj të padëgjuar më parë, ai zbuloi se për herë të parë ishte falur gjatë kohës sa ishte në paraburgim.