Filipçe: Mickoski flet për “suksese ekonomike”, ndërsa buxheti ka gropë prej 1.4 miliardë euro dhe qytetarët varfërohen çdo ditë

Ndërsa kryeministri Mickoski flet për disa “suksese ekonomike”, gropa në Buxhet thellohet, borxhi publik rritet dhe qytetarët po bëhen gjithnjë e më të varfër — paralajmëroi kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), dr. Venko Filipçe, në tribunën qytetare “Po luftojmë për shtëpinë tonë” që u mbajt mbrëmë në Gostivar.
“Realiteti është se buxheti është në deficit prej 1.4 miliardë euro, të ardhurat po ngecin, ndërsa investimet kapitale janë realizuar më pak se gjysma. Ata po marrin borxhe pa mbulim, borxhi publik ka arritur mbi 62% të produktit të brendshëm bruto — niveli më i lartë në rajon, dhe investimet e huaja pothuajse nuk ekzistojnë. Ky është rezultati i politikave të gabuara, paaftësisë, padijes dhe neglizhencës. Ata nuk kanë as plan, as strategji për ta udhëhequr shtetin,” theksoi Filipçe.
Ai shtoi se ndërkohë që pushteti grumbullon borxhe të reja, populli fundoset në varfëri, pagat stagnuan dhe masat për mbështetjen e qytetarëve mungojnë.
“Paga minimale mbetet një nga më të ulëtat në rajon, pensionistët morën më pak se ç’u premtua — vetëm 1.000 denarë, studentët nuk e morën rritjen e kërkuar prej 130 denarësh për ushqimin studentor, vauçerët prej 250 euro nuk janë shpërndarë, dhe mbi 1.000 studentë mbetën pa ushqim studentor. Bujqit në Pollog mbetën pa mbështetje — subvencionet u ulën, çmimet e grumbullimit ranë dhe puna e tyre u nënvlerësua,” tha Filipçe.
Në tribunë, Filipçe kujtoi se LSDM gjithmonë ka qenë në anën e qytetarëve me masa mbështetëse edhe në krizat më të mëdha që ka përjetuar vendi.
“LSDM gjithmonë ka ditur të luftojë, edhe në kohë të vështira nuk jemi dorëzuar. Në krizat më të mëdha botërore — energjetike, ekonomike, shëndetësore — ne ishim me popullin. U përpoqëm për çdo vend pune, për çdo biznes, për çdo njeri që mbeti pa të ardhura. Edhe në ato kohë të vështira, pagat u rritën, subvencionet u shtuan. Sollëm nëntë pako masash për familjet në nevojë, për studentët dhe pensionistët. Nuk lamë askënd vetëm përballë pasojave. Kjo është mënyra e përgjegjshme e drejtimit të shtetit,” tha Filipçe.
Ai shtoi se këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e çdo qytetari dhe për përparimin e shtetit.
“Kjo është koha kur çdo votë bën ndryshim. Nuk ka votë të parëndësishme. Ky nuk është moment për heshtje, por për qëndrim. Mospjesëmarrja nuk është dënim për LSDM-në — është shpërblim për VMRO-në. Çdo votë e humbur është fitore për regjimin që po e ndjejmë sërish. Këto ditë t’i shfrytëzojmë për të biseduar me fqinjët, të afërmit, të vizitojmë çdo lagje, të mobilizohemi dhe të bëjmë thirrje për bashkim. Tani nuk është koha për dorëzim, por për rikthim, unitet dhe një fillim të ri,” përfundoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.