Gjermania ka njoftuar se do të ofrojë 29 milionë euro ndihmë të menjëhershme humanitare për Gazën, pas ratifikimit të armëpushimit me Hamasin nga Izraeli.
“Ne po ofrojmë 29 milionë euro për ndihmë humanitare. Së bashku me Egjiptin, do të ftojmë në një konferencë për rindërtimin e Gazës”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz këtë mëngjes, duke shtuar se Gjermania do të marrë përgjegjësinë në procesin e paqes të propozuar nga Donald Trump.
Qeveria e Izraelit e ka ratifikuar mëngjesin e së premtes një marrëveshje për armëpushim me grupin militant palestinez Hamas, duke hapur rrugën për ndalimin e luftimeve në Gazë brenda 24 orëve dhe lirimin e pengjeve izraelite nga enklava palestineze brenda 72 orëve.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Kabineti izraelit e miratoi marrëveshjen rreth 24 orë pasi ndërmjetësit njoftuan arritjen e saj. Marrëveshja parashikon lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe fillimin e tërheqjes graduale të trupave izraelite nga Gaza, sipas nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gazë.
“Qeveria sapo ka miratuar kuadrin për lirimin e të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më X.