Kompania “Van Hool” në zonën ekonomike Shkup i jep punonjësve kontrata vetëm njëmujore, çka po ndodhë me kompaninë amerikane?!

Prodhuesi belg i autobusëve “Van Hool”, i cili prodhon kryesisht për tregun amerikan, ka njoftuar rreth 500 punonjësit e fabrikës në Zonën Industriale Teknologjike Zhvillimore (TIRZ) – Shkup 2 se për shkak të pasigurisë në treg do të punojnë me kontrata që do të rinovohen çdo muaj.
Punonjës të kompanisë kanë bërë të ditur për portalin “Faktor” se më parë kontratat e tyre kishin afat gjashtëmujor, më pas tre mujor, ndërsa që nga fundi i tetorit janë reduktuar në vetëm një muaj.
Nga kompania VDL Van Hool Macedonia e kanë konfirmuar informacionin, duke sqaruar se masa është e domosdoshme për të ruajtur stabilitetin financiar përballë tarifave të reja doganore të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë ndikuar ndjeshëm në zinxhirin e prodhimit dhe porositë.
“VDL Van Hool Macedonia është kompani socialisht përgjegjëse që kujdeset maksimalisht për punonjësit e saj. Ndryshimet në strukturën e kontratave bëhen për të siguruar vazhdimësi në të ardhura dhe një të ardhme të qëndrueshme për pjesën më të madhe të stafit,” – thuhet në reagimin zyrtar të kompanisë.
Sipas tyre, pasiguria në tregun amerikan për shkak të tarifave doganore dhe masave të tjera tarifore të reja ka sjellë rënien e porosive, gjë që ka detyruar kompaninë të përshtasë aktivitetin në të gjitha segmentet e saj të prodhimit.
Maqedonia është përfshirë në listën e vendeve ndaj të cilave SHBA ka vendosur tarifë doganore prej 15% për eksportet, një masë që përfshin edhe vendet e Bashkimit Evropian. Ky vendim është pjesë e urdhëresës ekzekutive të presidentit amerikan Donald Trump, që përcakton rregulla të reja tregtare për shtetet që nuk kanë marrëveshje bilaterale me SHBA-të.
Kompania belge Van Hool hapi fabrikën e saj në TIRZ Shkup 2 në vitin 2012. Në prill të vitit 2024, për shkak të vështirësive financiare, ajo u ble nga grupi holandez VDL Group.
Sipas të dhënave të OEC, gjatë vitit 2023 Maqedonia eksportoi në SHBA mallra me vlerë 273 milionë dollarë, prej të cilave 203 milionë dollarë ishin autobusë të prodhuar nga Van Hool. Madje është raportuar se tarifa e mëparshme prej 33%, e vendosur nga SHBA-të, lidhej drejtpërdrejt me eksportin e automjeteve të pasagjerëve të kësaj fabrike.(INA)