Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se ende nuk i kanë votat për Qeverinë “Kurti 3”.

Sipas saj, janë afër 4-5 deputetë “mangu” për të pasur minimumin e shumicës që nevojiten.

Tutje, ajo tha se nuk ka pasur takime zyrtare mes partive, por ka pasur komunikime individuale me deputetë që mund të ndikojnë në formimin e qeverisë.

“Pritjet janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti joshumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiq, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, deklaroi Kusari-Lila në Tëvë1.

“Përpjekjet do të vazhdojnë, nuk ka pasur formacion zyrtar të takimeve mes partive politike, më shumë komunikime me deputetë, porse në cilindo format ose në cilindo rast e shohin si të domosdoshme një funksionalizim të plot të institucioneve të vendit”, vijoi ajo.

Ndër tjerash, deputetja Kusari – Lila tha se edhe në rast se i kanë 61 vota, prapë “do të ishte një qeveri gati se të them e pakicës”

Nesër vendoset fati i Qeverisë, a do t’i bëjë Kurti numrat?
25 Tetor 2025 | 8:58

Seanca e Kuvendit për qeverinë e re është caktuar të mbahet nesër, më 26 tetor nga ora 10:00. Nesër mësohet nëse Albin Kurti do të arrijë të gjejë numrat për ta formuar Qeverinë Kurti 3, apo do të dështojë, shkruan Reporteri.net.

Seanca për votimin e Qeverisë së re është caktuar për të dielën, kur edhe përfundon afati 15 ditor. Seanca do të nis në orën 10:00. Në rend dite është vetëm një pikë: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 26.10.2025, në orën 10:00, në sallën e Kuvendit. Ftohen të gjithë deputetët e Kuvendit”, thuhet në ftesën e Kryeparlamentarit Dimal Basha.

Më 21 tetor, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë një takimi me mërgatën la të kuptohet se partia e tij mund të dështojë në formimin e ekzuekutivit, duke u thënë se “nuk është kollaj” formimi i qeverisë, ndërsa paralajmëroi shkuarjen në zgjedhje të reja.

“Do të përpiqemi maksimalisht deri në ditën e diel më së largu, se të hënën s’muj m’u përgatit se të hënën ose e kemi bërë qeverinë ose s’e kemi bo. Prandaj në këto ditët e mbetura jemi t’u komuniku, jemi t’u bisedu, nuk është kollaj se s’di si me jau spjegu, ndoshta e keni ndje edhe ju vet, është intoksiku atmosfera shumë, ka shumë xhelozi, inate e cinizëm shumë më shumë se ide punë e pasion. Por, jemi ku jemi tash këtu dhe do të përpiqemi që ta bëjmë qeverinë, përndryshe por siç po duket alternativa është do të shkojmë zgjedhje prapë, ose do ta bjëmë ne qeverinë ose do të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Kurti.

Ai foli edhe për mundësinë që partitë tjera ta formojnë, nëse VV dështon.

“Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe synim për qeveri të tyre alternative”, tha Kurti në Londër para mërgatës atje.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi më 15 tetor në një konferencë për media ka deklaruar se nuk ka pas kurrëfarë kontakti apo komunikimi me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.

Ai tha se edhe nëse do të ndodhte një kërkesë nga ana e VV-së, nuk do të pranonin të diskutonin për qeveri me ta.

“Nuk kam kurrfarë kontakti as komunikimi me Vetëvendosjen. Nuk pres kurrfarë kërkese, por po e them përmes juve kot e dërgon kërkesën se për këtë çështje as që e diskutojmë me Albin Kurtin çfarëdo lloj qeverie në çfarëdo opsioni. Kjo është e qartë prej datës 10 shkurt, e ka thënë Bedri Hamza. Qëndrimet tona janë konsistente”, deklaroi Krasniqi.

Sipas Krasniqit, Kurti nuk i ka numrat për ta bërë qeverinë.

“Jam i bindur siç kam qenë gjithmonë, që s’ka numra. E më pas ezaurimi i provës së parë, sjell atë të provës së dytë. Afatet kushtetuese janë të tilla, që mund të përfundojmë në zgjedhje mes 30 nëntorit deri më 14 dhjetorit, ndoshta me 7 dhjetor. E nëse na befason Kurti, mbesim me shku në zgjedhje në prill”, tha Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kjo parti nuk do të hyjë në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mashtrime politike dhe manipulim të opinionit publik në lidhje me shumicën parlamentare.

“Qëndrimi i LDK-së është i pandryshueshëm. Kemi dallime thelbësore me Lëvizjen Vetëvendosje. Është kontribut kombëtar i LDK-së të emancipojë skenën politike duke mos bashkëpunuar me një lëvizje që ka ngjallur urrejtje, ndarje e përçarje. Që e ka izoluar Kosovën, që nuk beson në vlerat bazike të Republikës së Kosovës, që e uzurpon Qeverinë e Kosovës padrejtësisht, që e shkel Kushtetutën, që mashtron publikisht para popullit dhe thotë ‘i kam 61 vota, më testoni’, e s’është në gjendje të dalë e të thotë si burrë: ‘Nuk i kam, prej ditës së parë’”, ka thënë Abdixhikunë Debat Plus, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“JO”, Kurtit për koalicion i kanë thënë edhe nga Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës, konkretisht kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë për Indeksonline se ka interesim të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, por që nuk janë të interesuar për një koalicion me Kurtin.

Haradinaj ka thënë se Kurti s’i ka numrat për të formuar qeverinë.

Edhe kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar prerazi se nuk do ta votojë qeverinë Kurti.

“Jo, nuk votoj. Jo me Dimal Bashën,” ka thënë Limaj, duke shtuar se për të është e papranueshme që një person si Dimal Basha të përfaqësojë institucionet publike.

Limaj ka thënë se nuk e ka pasur asnjë takim me Kurtin që prej zgjedhjes së Bashës kryetar Kuvendi.

“Nuk ka votë për qeverisje, as me votat e NISMA-s. Nuk kemi pasur asnjë takim pas zgjedhjes së Bashës dhe kemi kërkuar shkarkimin e tij. Dua ta shoh këtë si një aksident… por vendi nuk drejtohet kështu”, ka theksuar Limaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nëse nuk ka një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re të Kosovës në seancën e së dielës, atëherë ajo do të ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra mund të sigurojë 61 votat e nevojshme.

“Nëse s’ka marrëveshje, atëherë si presidente do t’i ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën”, tha Osmani në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën shqipe.

Nëse Vetëvendosje nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve për kabinetin e ri deri më 26 tetor, atëherë presidentja Vjosa Osmani është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit. /Reporteri.net/.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com