Aktivistja opozitare Maria Korina Maçado nga Venezuela është fituese e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2025. Komiteti ka thënë se ajo është përzgjedhur për punën e saj të palodhshme në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjet e saj për tranzicion paqësor nga diktatura në demokraci. Ish-kandidatja presidenciale e opozitës në Venezuelë u lavdërua si një figurë kyçe dhe unifikuese e një opozite që dikur ishte thellësisht e përçarë. Ndërkohë kishte spekulime të vazhdueshme përpara njoftimit zyrtar se çmimi Nobel për Paqe do t’i ndahej presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim në Rripin e Gazës.
“Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2025 i shkon një gruaje të guximshme dhe të përkushtuar të paqes, një gruaje që e mban flakën e demokracisë të ndezur në mes të një errësire në rritje. Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur t’ia japë Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025 Maria Korina Maçados. Ajo po merr Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci. Si udhëheqëse e forcave demokratike në Venezuelë, Maria Corina Machado është një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të guximit në Amerikën Latine në kohët e fundit”, deklaroi Jorgen Uatne Fridnes, Kryetar i komitetit të Nobelit.