Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se beson që problemi me mbeturinat në kryeqytet do të ketë një epilog, i cili, siç tha, do të jetë shumë interesant. Mickoski e tregoi këtë në përgjigje të pyetjes së një gazetari nëse ka marrë propozime konkrete nga institucionet në lidhje me zgjidhjen e mbeturinave në kryeqytet apo nëse po priste aktivitetet e Prokurorisë, e cila javën e kaluar nisi një procedurë dhe veprime për të siguruar prova për një vepër të mundshme penale në lidhje me situatën me mbeturinat në Shkup.
“Mendoj se atje do të ketë një epilog, i cili do të jetë shumë interesant për t’u ndjekur, tha Mickoski, sot pas vizitës në SPQ “8 Shtatori”, ku inspektoi pajisjet e reja në repartin për terapi fizikale dhe rehabilitim.
Me këtë rast, ai falënderoi kryetarët e komunave të Velesit, Shtipit, Kavadarit dhe Kumanovës për mbështetjen që kanë dhënë ditët e fundit me mekanizim për pastrimin e mbeturinave në Shkup.
“Në ditët në vijim, të martën, të premten dhe të shtunën, ato do të vazhdojnë dhe pastaj pres që, pasi të fitojë Orce Gjorgjievski, kur të bëhet pranim-dorëzimi praktik i udhëheqjes me Qytetin e Shkupit, e gjithë puna me mbeturinat do të normalizohet dhe në fakt kemi premtime që 72 orë pasi të marrë përsipër menaxhimin e Qytetit të Shkupit se mbeturinat duhet të pastrohen plotësisht dhe se ky duhet të jetë një proces i vazhdueshëm, jo lajm, por një punë normale e institucioneve të Qytetit”, theksoi kryeministri.
Kryeqyteti periudhën e kaluar është “mbingarkuar” në mbeturina, kontejnerët në disa lagje të Shkupit ishin të mbushur me mbeturina, të cilat liheshin kudo që mund të gjendeshin, ndërsa në disa vende kishte edhe mbeturina në shtigjet për këmbësorë dhe në rrugët përreth kontejnerëve, duke e vështirësuar lëvizjen e qytetarëve.
Kandidati për kryetar komune nga VMRO-DPMNE, Orce Gjorgjievski, i cili mori më shumë vota në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 19 tetor, tha se sapo të marrë detyrën, do ta pastrojë qytetin brenda 72 orëve. Gjorgjievski, i cili është edhe kryetar aktual i Kisella Vodës dhe kryetar i BNJVL-së, javën e kaluar, me iniciativë të kryetarit të komunës Qendër, Goran Gerasimovski, thirri një takim me të gjithë kryetarët e komunave të Shkupit me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për mosfunksionimin e NP-së “Higjiena Komunale”.
“Shkupi, për fat të keq, është shndërruar në një deponi të madhe për një kohë të gjatë. Edhe pse kemi ndërhyrë disa herë vitet e fundit, këto ishin vetëm ndërhyrje të përkohshme, dytësore sepse komunat nuk kanë mekanizimin e tyre, as autoritetin për të zbrazur kontejnerët, theksoi Gjorgjievski dhe shtoi se në ditët e fundit, të gjithë kryetarët e komunave nga rajoni i Shkupit, me mbështetjen e kompanive me përgjegjësi shoqërore, janë përpjekur të amortizojnë kaosin që ka përfshirë qytetin.
Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftoi javën e kaluar se tashmë po vepron dhe po ndërmerr veprime për të siguruar prova për një vepër të mundshme penale që lidhet me situatën e mbeturinave në Shkup.
Siç informuan nga PPRMV, prokurori publik ka lëshuar urdhra deri te MPB-ja dhe autoritetet e tjera kompetente për veprime dhe inspektime urgjente në lidhje me punën e NP “Higjiena Komunale”. Janë paraqitur kërkesa deri te shërbimet e inspektimit komunal për të kryer një inspektim të jashtëzakonshëm dhe për të konstatuar situatën aktuale.
Ndërkohë, qeveria njoftoi më parë se KA ngarkuar Ministrisë E Punëve të Brendshme, në koordinim me Inspektoratin Shtetëror Komunal, Inspektoratin Shtetëror për Mjedis Jetësor, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik, të kryente një inspektim të jashtëzakonshëm në Qytetin e Shkupit dhe Higjienën Komunale me qëllim përcaktimin e situatës së mbeturinave në kryeqytet dhe marrjen e masave të duhura.