Ministri Aliu: Po punojmë në përmirësimin e sistemit të specializimeve dhe nën-specializimeve në shëndetësi
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot zhvilloi një takim pune me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë pranë UKIM, prof. dr. Svetozar Antoviq, dhe me shefat e katedrave të këtij fakulteti, ku u diskutua për rishikimin dhe përmirësimin e strukturës, kohëzgjatjes dhe përmbajtjes së specializimeve dhe nën-specializimeve për punonjësit shëndetësorë dhe bashkëpunëtorët me arsim të lartë në fushën e mjekësisë.
“Që nga marrja e funksionit të ministrit, një nga prioritetet e mia kryesore është përmirësimi i burimeve njerëzore, me qëllim harmonizimin me nevojat reale të sistemit shëndetësor, si dhe sigurimin e cilësisë dhe shërbimeve në kohë që ofrohen në nivelin sekondar dhe terciar të kujdesit shëndetësor,” – tha ministri Azir Aliu gjatë takimit në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ky takim pune është pjesë e një procesi më të gjerë reformash në sistemin shëndetësor, i cili synon riformulimin e degëve ekzistuese të specializimeve, me qëllim për të kapërcyer mungesën e fleksibilitetit profesional dhe për të forcuar specializimet e gjera, si mjekësia e brendshme dhe kirurgjia e përgjithshme. Gjithashtu, procesi parashikon shkurtimin e kohëzgjatjes së disa specializimeve, për të motivuar mjekët e rinj, si dhe riformulimin e nën-specializimeve në përputhje me nevojat reale kadrovike të sistemit shëndetësor.