Seanca e Kuvendit për qeverinë e re është caktuar të mbahet nesër, më 26 tetor nga ora 10:00.
Nesër mësohet nëse Albin Kurti do të arrijë të gjejë numrat për ta formuar Qeverinë Kurti 3, apo do të dështojë.
Opinionisti Rrahman Paçarizi, mbrëmë në “Rubikon” të Klan Kosovës, theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me partitë e tjera dhe nuk duket se ka mundësi për një koalicion të mundshëm, veçanërisht duke përmendur se LDK dhe Nisma nuk janë të gatshme të hyjnë në një marrëveshje me LVV-në.
Ai gjithashtu përmendi mundësinë e “peshkimit” të deputetëve për të siguruar një shumicë, përmes metodave jo gjithmonë të drejtpërdrejta.
Nga ana tjetër, analisti politik, Labinot Balaj shpreh dyshime se VV-ja ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë, duke sugjeruar se Kurti mund të ketë shpresuar për një ndryshim të qëndrimit nga LDK, por që sipas tij, situata duket e pashpresë.
E në “Edicionin Special”, ish-diplomati Avni Arifi, u tregua edhe më i rreptë, teksa tha se Kurit iu është dashur të shkojë në Londër për t’i treguar Kosovës që nuk i ka numrat për formimin e “Qeverisë Kurti 3”.