Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të enjte se është zbuluar një rast i falsifikimit të dokumenteve pronësore, me qëllim përvetësimin e një sasie të madhe toke.

Gjatë takimit me drejtuesit vendorë për zbatimin e “Paketës së Maleve”, Rama tha se rasti është zbuluar falë laboratorit shkencor të Policisë Shkencore, i cili ka provuar falsifikimin e dokumenteve.

“Është zbuluar një operacion kriminal për marrjen e një sasie të madhe toke me dokumenta të falsifikuara. Falë laboratorit shkencor të Policisë Shkencore kemi provuar falsifikimin dhe të gjithë ata që vijnë për t’u regjistruar me letra të tilla duhet ta dinë se dokumentet do kalojnë për verifikim në policinë shkencore. Ky rast do të ndiqet deri në fund me prokurorinë dhe gjykatën,” – tha Rama.

Kryeministri shtoi se, pavarësisht provave të qarta, shpesh vendimet gjyqësore bien ndesh me interesat e shtetit.

“Edhe sot, kur po vija këtu, pashë disa masa sigurie të gjykatës administrative për ndërtime që kanë zënë hapësira publike. Masa sigurie të viteve 2019 e 2020, dhe gjykata bën sikur nuk sheh,” – u shpreh Rama.

Ai theksoi se qeveria ka ndryshuar qëndrimin ndaj pronës shtetërore, e cila nuk do të jepet më si më parë, përveç rasteve kur shteti bëhet bashkë-aksioner përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve.

“Toka shtetërore nuk jepet më si më parë. Nëse ka interes zhvillimi, shteti futet si partner. Por në rastet kur toka figuron si shtetërore për shkak se nuk është pranuar nga ligji 7501, dhe nuk ka konflikte kufitare, atëherë hyn në fuqi formula e dhënies së saj sipas ‘Paketës së Maleve’,” – sqaroi Rama.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com