Rexhepi sqaron për dy fotografitë e publikuara me kandidaten e Levicës: Gënjeshtër monstruoze, nuk kanë lidhje me ekipin tim
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, në intervistën e dhënë për Alsat, ka reaguar ndaj disa fotografive të publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohej për lidhje të ekipit të tij me përfaqësues të partisë Levica.
“Asnjëra nga ato fotografi nuk është e vërtetë. Ajo që u publikua fillimisht nuk ka të bëjë fare me shefin tim të PR-it. Personi në foto nuk ka asnjë lidhje politike, as me Bashkimin Demokratik për Integrim, as me Aleancën Kombëtare për Integrim. Ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi se kush shihet me kë në Tetovë,” deklaroi Rexhepi, njofton TS.
Ai sqaroi edhe për fotografinë e dytë që u shpërnda në rrjetet sociale, duke e quajtur manipulim të qëllimshëm.
“Edhe fotografia e dytë, që u publikua nga një aktivitet partiak, nuk ka asnjë lidhje me Levicën. Aty nuk ka qenë kandidatja e Levicës, as ndonjë anëtare e asaj partie. Ka qenë thjesht një takim parazgjedhor i Forumit të Gruas të AKI-së, në një nga lagjet e Tetovës, në një lokal të qytetit. Kjo është një gënjeshtër absurde, një gënjeshtër monstruoze që e prodhon makineria propagandistike e partive në pushtet,” shtoi Rexhepi./TS