Maqedonia e Veriut ende po pret ftesën nga presidenti amerikan Donald Trump për pjesëmarrje në të ashtuquajturin Bordi i Paqes – një iniciativë ndërkombëtare e konceptuar fillimisht për t’i dhënë fund luftës në Gaza, e më pas e zgjeruar edhe për konflikte të tjera globale. Nga rajoni, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria tashmë kanë marrë ftesë dhe janë pjesë e këtij trupi, ku Prishtina zyrtare dhe Sofja zyrtare janë bërë edhe anëtare themeluese.

Në këtë kontekst, lind pyetja se çfarë mesazhesh po i dërgohen Maqedonisë së Veriut nga “partneri strategjik” – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke komentuar këtë zhvillim në një intervistë për portalin “Lokallno”, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, shprehet:

“Si shqiptar, ndihem mirë që Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Por si qytetar i Maqedonisë së Veriut, sigurisht që ndihem i anashkaluar”, deklaron Taravari.

Sipas tij, mospërfshirja e Maqedonisë së Veriut në këtë iniciativë përbën një sinjal të qartë se vendi duhet të artikulojë më qartë qëndrimet e tij ndërkombëtare.

“Kjo është një thirrje e hapur që të jemi më të qartë në pozicionet tona, veçanërisht në rrugën që duam të ndjekim”, përfundon Taravari.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume