Transferimi nga Haga në Kosovë: Si parashihet ndryshimi në Projektligjin për Speciale?
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë, me 91 vota për, Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Nisma, e cila tashmë është miratuar në lexim të parë, parasheh disa ndryshime thelbësore në funksionimin dhe juridiksionin e Speciales.

Një nga ndryshimet kryesore që parashihen është edhe transferimi i personave të privuar nga liria?

Çka thuhet në nenet 8 dhe 11?
Neni 8
Pas nenit 10A shtohet neni 10B, si në vijim: “Neni 10B

Transferimi i personave të privuar nga liria

1. Kur procedura ndaj një personi të privuar nga liria përfundon para Dhomave për shkak të mungesës së juridiksionit, transferimi i tij në Republikën e Kosovës realizohet në zbatim të këtij ligji, Ligjit Nr. 04/L-274 dhe marrëveshjeve me shtetin pranues.

2. Deri në momentin e dorëzimit fizik, statusi i privimit nga liria rregullohet nga vendimet në fuqi dhe nga marrëveshjet ndërkombëtare të zbatueshme. Nga momenti i marrjes në kujdestari nga autoritetet e Republikës së Kosovës, vazhdimi i privimit nga liria kërkon bazë juridike sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale.

3. Autoriteti pranues ndërmerr pa vonesë veprimet e nevojshme që personi të paraqitet para gjyqtarit kompetent jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga mbërritja e tij në territorin e Republikës së Kosovës.

4. Gjykata kompetente shqyrton në mënyrë të pavarur ligjshmërinë dhe nevojën e vazhdimit të privimit nga liria dhe vendos për paraburgimin ose masat alternative sipas Kodit të Procedurës Penale.

5. Transferimi fizik organizohet pa vonesë dhe synohet të përfundojë jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga vendimi për transferim, në koordinim me autoritetet e shtetit pranues dhe sipas procedurave të marrëveshjeve ndërkombëtare të zbatueshme.

6. Gjatë transferimit garantohen e drejta për mbrojtje, qasja në mbrojtës, integriteti fizik dhe shëndetësor, si dhe të gjitha garancitë e tjera kushtetuese dhe ndërkombëtare.

7. Para transferimit dhe pas mbërritjes në Republikën e Kosovës, personi mund t’i nënshtrohet ekzaminimit mjekësor të pavarur sipas kërkesës së tij ose të mbrojtjes.

8. Koha e kaluar në paraburgim ose në privim nga liria në kuadër të Dhomave llogaritet plotësisht sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës.”

Neni 11
Pas nenit 10D shtohet neni 10E, si në vijim: “Neni 10E

Vazhdimësia e procedurave pas transferimit

1. Autoriteti kompetent i Republikës së Kosovës, pas pranimit të lëndës, ndërmerr veprimet procedurale të nevojshme sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi.

2. Procedura pas transferimit zhvillohet duke garantuar gjykim të drejtë, tëpaanshëm dhe brenda një afati të arsyeshëm.

3. Provat e mbledhura nga Dhomat vlerësohen sipas rregullave të pranueshmërisë, ligjshmërisë dhe vlerës provuese të parashikuara me legjislacionin e Republikës së Kosovës.

4. Aktet procedurale të ndërmarra para transferimit merren në konsideratë nga autoriteti pranues, i cili përcakton efektin e tyre sipas Kodit të Procedurës Penale dhe standardeve të procesit të rregullt.

5. Autoritetet e Republikës së Kosovës mund të kërkojnë nga Dhomat ose Zyra e Prokurorit të Specializuar informacion, dokumente dhe materiale shtesë që janë të nevojshme për vazhdimin e procedurës.”

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume