Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, bëri të ditur se sot është ndërmarrë një hap konkret drejt realizimit të projektit për Bulevardin “Cvetan Dimov”. Ekipet e Komunës së Çairit, së bashku me ekspertët gjeodezikë, dolën në terren për përcaktimin e saktë të trasesë së bulevardit.
Realizimi i këtij projekti pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe lidhjen infrastrukturore të Çairit me Butelin, Shutkën dhe komunat përreth. Sipas Mexhitit, zgjerimi i “Cvetan Dimov”-it paraqet një nga ndërhyrjet e rëndësishme infrastrukturore dhe një nevojë të kahmotshme të qytetarëve të kësaj pjese të qytetit.
“Sot hodhëm një hap konkret drejt realizimit të Bulevardit ‘Cvetan Dimov’. Ekipet tona, së bashku me ekspertët gjeodezikë, janë në terren për përcaktimin e saktë të trasesë. Për mua, ky projekt është më shumë se një investim në infrastrukturë, është përmbushja e një premtimi dhe përgjigje ndaj një nevoje të kahmotshme të qytetarëve. Premtimet kanë vlerë vetëm kur shndërrohen në punë konkrete, ndërsa Bulevardi ‘Cvetan Dimov’ tashmë po kalon nga premtimi në realizim”, deklaroi Mexhiti.
Kryetari Mexhiti theksoi se reagimet e qytetarëve në terren janë jashtëzakonisht pozitive, pasi zgjerimi i këtij aksi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore në këtë pjesë të Shkupit.



