Shukova: Sistemi BRT do të transportojë 65.000 pasagjerë në ditë – Shkupi do të ketë transport publik modern dhe ekologjik

Kandidatja për kryetare të Qytetit të Shkupit, Kaja Shukova, në një intervistë për emisionin “360 gradë” theksoi se prioriteti më i madh në programin e saj është vendosja e sistemit BRT – një transport publik i shpejtë dhe ekologjik që do ta zgjidhë kaosin në komunikacion dhe ndotjen në kryeqytet.
“Shkupi duhet të ketë transport publik që funksionon realisht. Projekti për BRT është gati, mjetet janë siguruar dhe linja e parë – nga Gjorçe Petrov deri në Aerodrom, e gjatë 13 kilometra me 21 stacione – mund të përfundojë më së voni deri në fillim të vitit 2028,” deklaroi Shukova.
Ajo theksoi se ky është projekti më i rëndësishëm infrastrukturor në Shkup pas disa dekadash, pasi sistemi BRT do të mundësojë transportimin e mbi 65.000 pasagjerëve në ditë, me autobusë të rinj dhe ekologjikë që do të qarkullojnë çdo disa minuta.
“Me këtë zgjidhje, Shkupi do të ketë transport publik që i përshtatet një qyteti modern evropian – pa vonesa, pa ndotje dhe me lëvizshmëri të pastër e të qasshme për të gjithë,” shtoi Shukova.
Ajo njoftoi gjithashtu se paralelisht me ndërtimin e linjës së parë, do të përgatitet edhe traseja e dytë veri–jug, me ç’rast do të lidhen të gjitha pjesët e qytetit, ndërsa çdo vit do të blerën autobusë të rinj ekologjikë për përmirësimin e sistemit.
“Ky është një projekt që do ta ndryshojë Shkupin përgjithmonë – do t’i japë një ritëm të ri, më të shpejtë dhe një të ardhme më të pastër,” përfundoi Shukova