Tetovë, 14 tetor 2025 – Një incident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Spitalin Klinik të Tetovës, ku një pacient ka sulmuar fizikisht një mjek dhe më pas edhe një zyrtar policor.
Sipas informacioneve nga SPB Tetovë, rreth orës 16:00 është arrestuar M.M. (28) nga fshati Çellopek, pas një denoncimi paraprak se ai ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj personelit mjekësor.
Gjatë përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë mjekësore, ai ka sulmuar fizikisht mjekun L.A. (31) nga fshati Zhelinë. Edhe pas mbërritjes së policisë, i dyshuari ka vazhduar me sjellje agresive dhe ka goditur njërin nga zyrtarët policorë.
M.M. është ndaluar në stacionin policor të Tetovës dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do t’i ngrihet kallëzim përkatës penal, njoftojnë nga SPB Tetovë.TS