Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, mori pjesë si folëse në disa diskutime paneli në Takimin e dytë vjetor ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt më 14–15 tetor 2025 në Dubrovnik, Republika e Kroacisë.
Në takim morën pjesë ministra nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Komisionit Evropian, vendeve anëtare të BE-së, organizatave rajonale, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile. Qëllimi kryesor ishte të vlerësohet progresi i Agjendës së Gjelbër për rajonin dhe të përcaktohen masa konkrete për fazën e ardhshme të zbatimit të saj.U miratua një Deklaratë me të cilën forcohet bashkëpunimi rajonal për përafrim me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane (European Green Deal).
Sesioni i posaçëm për koordinimin dhe financimin e donatorëve u përqendrua në nevojat investuese dhe mundësitë për përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër në rajon.
Në fjalën e saj, Lashkoska theksoi se shteti ynë e sheh transformimin e gjelbër si një proces që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Ajo nënvizoi se shteti, brenda kapaciteteve të veta financiare, investon vazhdimisht në ajër të pastër, mbrojtjen e lumenjve dhe pyjeve, menaxhimin e mbetjeve dhe edukimin e të rinjve, si aktivitete kyçe që mundësojnë përmirësim real të mjedisit jetësor. Sipas saj, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor jo vetëm që i harmonizon politikat e veta me standardet evropiane, por merr pjesë aktivisht edhe në bashkëpunimin rajonal për të vendosur zgjidhje praktike dhe efektive për mbrojtjen e natyrës.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu në financimin dhe nevojat investuese për përshpejtimin e këtyre proceseve, me qëllim që vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të realizojnë projektet e tyre për energji të qëndrueshme, infrastrukturë dhe ruajtje të burimeve natyrore.
Lashkoska theksoi se zbatimi i suksesshëm i Agjendës së Gjelbër varet nga përfshirja aktive e qytetarëve, veçanërisht e të rinjve, përmes edukimit dhe veprimeve praktike për mbrojtjen e mjedisit. Ajo theksoi se këto iniciativa jo vetëm që përmirësojnë cilësinë e jetës, por krijojnë edhe një kulturë përgjegjësie ndaj natyrës dhe brezave të ardhshëm.
“Shteti ynë mbetet i përkushtuar për krijimin e një mjedisi jetësor të qëndrueshëm dhe të pastër. Puna jonë bazohet në politika konkrete, bashkëpunim rajonal dhe përfshirje aktive të qytetarëve, me qëllim zhvillim ekonomik të përshpejtuar por të qëndrueshëm, si dhe mbrojtjen e biodiversitetit dhe natyrës për brezat e ardhshëm”, tha Lashkoska.
Ngjarja në Dubrovnik, përveç shkëmbimit të përvojave dhe strategjive për trajtim rajonal të mbetjeve plastike dhe ndryshimeve klimatike, konfirmoi përkushtimin e shtetit tonë dhe të gjithë rajonit për të punuar së bashku në masa dhe projekte konkrete që garantojnë një të ardhme të gjelbër dhe të qëndrueshme.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor vazhdon me përkushtim të plotë ndaj politikave të gjelbra dhe qëndrueshmërisë klimatike, duke ndërtuar bazën për një zhvillim të qëndrueshëm që në plan afatgjatë do të sigurojë një mjedis më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.