Shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të përparojnë më lehtë kur së bashku dhe të zëshëm reflektojnë mbi atë se çfarë i nevojitet arsimit në secilin prej vendeve. Ne jemi popuj të ngjashëm, me zakone, kultura dhe tradita të afërta, e kjo do të thotë edhe sisteme arsimore dhe sfida të ngjashme. Pikërisht për këtë arsye, i kuptojmë më lehtë problemet e përbashkëta dhe mund të gjejmë më shpejt zgjidhje që, me përshtatje të vogla, mund të zbatohen në vendet tona. Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në hapjen e Dialogut Rajonal për Politika për Arsim Cilësor, që po mbahet në Shkup, i organizuar nga Zyra Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azinë Qendrore, në bashkëpunim me OECD-në dhe Komisionin Evropian.
„Në Maqedoni tashmë prej 16 muajsh po punon Qeveri e re, e cila me shumë entuziazëm ka nisur agjendë të re reformuese në arsim. Më parë kemi parë shumë përpjekje, por pak vazhdimësi. Ministrat ndryshoheshin shumë shpejt, me mandat mesatar prej një viti e gjysmë, secili me prioritetet dhe idetë e veta. Këtë herë, me parimshmërinë dhe vendosmërinë e kësaj Qeverie, jam e bindur se përpjekja e investuar do të japë rezultate në afat të mesëm”, theksoi Janevska.
Dialogu është mundësi për ekspertët nga Rajoni në bazë të kërkimeve ndërkombëtare mbi atë sa kanë mësuar nxënësit dhe si punojnë mësimdhënësit, të shkëmbejnë praktikat e mira dhe të hartojnë zgjidhje praktike për përmirësimin e rezultateve të të mësuarit.
„ Sigurisht që nuk jemi të kënaqur me rezultatet e testimeve PISA. Kjo nuk do të thotë se nxënësit tanë nuk kanë njohuri, por se duhet t’i përgatisim më mirë për mënyrën se si testohen kompetencat e tyre,” tha Janevska, duke shtuar se me hapat konkretë për ndryshime që do të sjellin rezultate më të mira, përfshihen të gjithë segmentet e sistemit arsimor.
Në arsimin fillor dhe të mesëm po ndryshohen programet mësimore, po përgatiten tekste shkollorebashkëkohore, po investohet në pajisje të avancuara, veçanërisht në fushën e shkencave natyrore. Vëmendje e veçantë i kushtohet arsimit profesional; tashmë janë formuar 7 nga 8 qendra rajonale për arsimin dhe trajnimin profesional, nga të cilat 4 janë plotësisht të pajisura dhe funksionale.
Janevska theksoi se vetëm brenda 16 muajve janë investuar 64 milionë euro rekord në infrastrukturën arsimore. Pagat e mësimdhënësve janë rritur për 12%, dhe përmes zhvillimit profesional dhe karrierës ata mund të përparojnë, gjë që sjell edhe të ardhura personale më të mëdha.
“ Gjithërfshirja është një nga prioritetet tona më të rëndësishme. Numri i kuadrit ndihmës në shkolla është rritur ndjeshëm, dhe janë formuar edhe shkolla fillore dhe të mesme shtetërore me qendra burimore. Po punojmë gjithashtu në optimizimin e rrjetit shkollor dhe në futjen e mësimit me një turn, në mënyrë që nxënësit të kalojnë më shumë kohë aty ku më së shumti mësojnë dhe zhvillohen – nëpër klasa,” potencoi ministrja Janevska.

Me qëllim që reforma të ketë vazhdimësi, Janevska e arsyetoi iniciativën për miratimin e Deklaratës Kombëtare për Arsimin, si dokument parlamentar që do të shërbejë si udhërrëfyes dhe garanci se, pavarësisht ndryshimeve politike, zhvillimi i arsimit nuk do të pësojë ngecje apo kompromise.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com