Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot mbajti koordinim me koordinatorët e grupeve parlamentare pas pushimit për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Theksoi se nevojiten ose ndryshime të Kodit Zgjedhor ose të miratohet ndonjë ligj i ri, informoi Gashi në brifingun javor me gazetarët. Siç potencoi Gashi, në koordinim të gjithë u pajtuan se duhet të bisedojnë me qëllim që me konsensus të miratohen zgjidhjet e reja ligjore.

“Në takimin e parë koordinues pas pushimit për zgjedhjet, diskutuam miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor, në mënyrë konsensuale. Një Kod i ri Zgjedhor është i nevojshëm, ndër të tjera edhe për shkak të financimit të partive. Ishte problem, sepse me dispozitat e shkruara në vitin 2021, kishte vetëm dy parti, gjë që nuk korrespondon me realitetin. Kishte tri në pushtet, tri në opozitë. Nuk përjashtohet që të flasim edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për shembull, Maqedonia të jetë një njësi e vetme zgjedhore”, tha kryetari.

Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor ose me zgjidhjen e re ligjore duhet të kapërcejnë të gjitha problemet që janë regjistruar deri më tani në proceset zgjedhore, pavarësisht nëse janë zgjedhje parlamentare, presidenciale apo lokale. Rekomandimet e OSBE-së, mënyra e financimit të fushatës, metoda e kandidimit të kandidatëve të pavarur, censuset, fushata e hershme, por edhe tema të tilla si modeli zgjedhor apo organizimi në një njësi të vetme zgjedhore – të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet pritet të trajtohen, tha Gashi.

Kryetari i Kuvendit informoi se në koordinimin me koordinatorët nuk folën për Kodin Penal i cili amniston dhe liron funksionarë nga korrupsioni dhe nga keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autorizimit.


“Dera për Kodin e ri Penal dhe ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Administrative në lidhje me nenet e amnistisë në të për korrupsionin e kryer është e hapur në Parlament. Ende nuk ka asnjë propozim, varet nga Qeveria”, tha Gashi, i cili kur shpalli zgjedhjet lokale në gusht, theksoi se Propozim – kodi penal ‘vetëm sa nuk ka arritur në Kuvend, sepse ai u informua kështu nga Ministri i Drejtësisë Igor Filkov dhe Qeveria”.

I pyetur rreth shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat ku nuk ishte arritur censusi ligjor i daljes nga një e treta e popullsisë, Gostivar, Qendra Zhupë, Vrapçisht dhe Mavrovë Rostushë, Gashi theksoi se do të mbajë konsultim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, sepse, siç tha, ka paqartësi rreth afatit të shpalljes.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet e përsëritura duhet të shpallen në afat prej 60 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare nga Zgjedhjet Lokale, Gashi tha se dilema është nëse ato 60 ditë numërohen nga përfundimi i rezultateve nga rrethi i parë, kur KSHZ konstatoi se në katër komuna nuk është arritur censusi ose pas rezultateve përfundimtare pas rrethit të dytë.

Kryetari i Kuvendit informoi se më 15 janar vitin e ardhshëm skadon mandati i përbërjes aktuale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), që përputhet me kohën kur duhet të mbahen zgjedhjet e përsëritura në katër komunat. Gashi thotë se është në komunikim me KSHZ-në për zgjidhjen e situatës.

“Sipas ligjit, mandati i një anëtari të KSHZ-së zgjat pesë vjet, deri në zgjedhjen e anëtarit të ri dhe me këtë formulim ‘deri në zgjedhjen e të riut’ do të vazhdohet mandati i anëtarëve aktualë derisa nuk përfundojnë zgjedhjet në katër komuna”, tha ai.

I pyetur në lidhje me ligjin për vetëqeverisjen lokale që nuk u miratua para zgjedhjeve lokale për shkak të mungesës së shumicës së Badinterit, kryetari theksoi se do të hapej përsëri debat. Por ai nuk mundi të thoshte nëse klauzola “ky ligj do të hyjë në fuqi nga zgjedhjet e ardhshme lokale” do të hiqej, sepse nëse kjo nuk ndryshohet, dhe qëllimi i ligjit është që të jetë në gjendje të shkarkojë kryetarët e komunave me referendum nëse ata nuk po e bëjnë punën e tyre, kjo do të thotë se ligji do të miratohet për të mbrojtur kryetarët e komunave nga partia në pushtet VMRO-DPMNE.

“Kjo varet nga vullneti i grupeve parlamentare. Sapo të ketë vullnet, menjëherë do të vendoset në procedurë kuvendore”, tha ai.

Deri më tani nuk ka paralajmërim për hapjen e Kushtetutës për asnjë çështje, potencoi Gashi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve rreth mendimit të Komisionit të Venecias se nevojiten ndryshime kushtetuese për pavarësi më të madhe të Prokurorisë Publike.

Gashi njoftoi se Propozim-buxheti për vitin 2026 ka arritur dje në Kuvend dhe se në seancë plenare do të gjendet më 9 dhjetor, ndërsa propozuesit e autorizuar do të mund të dorëzojnë amendamente deri më 10 nëntor.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com