Katër shtëpi në fshatin Shipkovicë të Tetovës janë vënë në rrezik nga rrëshqitjet e dheut. Rreth orës tre të mëngjesit, katër familje janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre dhe të strehohen përkohësisht tek të afërmit, për shkak të frikës se situata mund të përkeqësohet.

Banorët thanë se vazhdojnë të ndihen të rrezikuar pasi në pjesën e sipërme të zonës dheu po rrëshqet vazhdimisht. Familjet u bëjnë apel institucioneve që të ndërhyjnë sa më shpejt dhe të marrin masa konkrete.

“Dje mbrëmë ka rrëshqit kjo, në tre të natës, momentalisht kemi dal nga shtëpia jemi tek vëllai, si do ja bëjmë në të ardhmen se dimë por sot për sot kështu është. Këtu jemi momentalisht tre, nusja ka shkuar te baba vet unë jam të vëllai, vëllai tjetër ka shkuar të një vëlla tjetër. Apeli im është që të ndërtohet muri sa më shpejtë sepse shpëtojmë edhe ne por edhe këto lartë”, u shpreh Mumin Velia – pronar i shtëpisë.

”Neve na rrezikon me jetë s’ke çka fol më shumë ku të shkosh. Policia dhe inspektorati i kanë nxjerr familjarët nga shtëpitë dhe i kanë dërguar diku tjetër nuk dimë asgjë. Nga viti 2015 na kanë premtuar edhe projekt kanë por se kanë përfunduar 110 metra e kanë lënë në mëshirë të zotit edhe pse ka ankesë UNDP dhe ambasada Zvicrës kemi bërë kërkesë me shkrim na kanë kthyer përgjigje por komuna dhe ministria ekologjisë s’kanë bërë asgjë. Në të dy anët të rrezikuar”, tha Islam Delia – Banor i fshatit Shipkovicë.

Nga Komuna e Tetovës thonë se kanë dalë në vendngjarje dhe kanë parë situatën nga afër, ndërsa për momentin raportojnë se 17 banorë janë evakuuar.

“Shtabi i Krizës së Komunës së Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën për Menaxhim me Kriza, po ndjek nga afër situatën në Shipkovicë, ku si rezultat i rrëshqitjes së dheut katër shtëpi janë të rrezikuara. Po ashtu, anëtarët e katër familjeve janë evakuuar dhe strehuar tek të afërmit e tyre. Gjithsej, 17 banorë kanë lëshuar shtëpitë e tyre, ndërkohë që reshjet vazhdojnë”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Si shkak i vërshimeve të vitit 2015 në Shipkovicë, humbën jetën katër persona nga ky fshat, banorët edhe pas një dekade vazhdojnë të jetojnë me frikë. Sa herë ka reshje shiu, atyre u rikthehet pasiguria dhe ankthi se me një situatë e ngjashme mund të përballën sërish.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com