Një kamer në fshatin Leshicë të Përmetit mundi të fiksojë për herë të fundit 66-vjeçarin Agron Çumani, para se të humbte çdo kontakt me familjen dhe të zhdukej përfundimisht pasditen e 4 nëntorit.

Policia dhe familja kanë nisur kërkimet vullnetare, deri në kufi me Greqinë por pa rezultat. Disa banorë të fshatit Lëshicë tregojnë se e kanë parë 66-vjeçarin të ecë i qetë me një thes në duar, ashtu si në këto pamje.

“E kam parë rreth orës 4 e gjysmë-5, e tërhiqte thesin zvarrë”.

Bashkëshortja e tij, Florida Çunami tregon se ditën e martë Agroni ka dalë për të kryer disa analiza dhe që nga ajo ditë nuk është kthyer më.

“Kishte probleme me kujtesën, e dinte rrugën për në shtëpi. Kam kërkuar tërë natën”

Çfarë e bën më tronditëse këtë ngjarje janë rrëfimet e banorëve, të cilët tregojnë për Top Channel se vite më parë në të njëjtën zonë, në segmentin e vjetër të rrugës Përmet-Lëshicë janë zhdukur pa lënë gjurmë edhe dy persona të tjerë.

“Duhet të merren masa“-thonë ata.

Banorët hedhin poshtë edhe mundësinë e mbytjes së këtyre personave në lumin Vjosë, pasi deri më tani nuk është gjetur asnjë shenjë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume