Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës përmes një akademie solemne e shënoi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo datë historike, shënon gurthemelin e identitetit dhe shtetformimit tonë dhe ka peshë të jashtëzakonshme historike, kulturore dhe kombëtare. Në këtë veprimtari morën pjesë udhëheqësia e Universitetit të Tetovës, profesorë, historianë, studentë dhe të ftuar të tjerë.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti në fjalimin e tij tha se në kalendarin historik shqiptar, 28 Nëntori shënon pikënisjen e një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë drejt lirisë. Kjo ditë e shenjtë lidhet me dy momente madhore të historisë sonë: 28 Nëntorin e vitit 1443, kur në Krujë u ngrit flamuri i Kastriotit, dhe 28 Nëntorin e vitit 1912, kur në Vlorë Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke i dhënë jetë shtetit modern shqiptar.
“Akti i shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912 ishte epilog i përpjekjeve shekullore për mbrojtjen e territorit, identitetit, të drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve dhe përbën gurthemelin e qenësisë politike të kombit shqiptar. Shënimi i kësaj date të rëndësishme çdo vit na rikthen drejt një reflektimi të domosdoshëm mbi fatin historik të kombit tonë, i cili, në mënyrë të pashmangshme, lidhet edhe me fatin dhe përgjegjësinë individuale të secilit prej nesh. 28 Nëntori nuk është thjesht një datë simbolike; është vetëdije historike, kujtesë kolektive dhe angazhim për të ardhmen. Është dita që na bashkon, në përkatësinë tonë të përbashkët.” – tha dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Referatin kushtuar 28 Nëntorit, e paraqiti profesori i Katedrës së Historisë në Fakultetin Filozofik, Prof. Dr. Qerim Dalipi. Ai u shpreh se në tetor – nëntor të vitit 1912, status quo – ja e Ballkanit u prish. Ushtritë serbe, malazeze dhe greke, thyen rezistencën e ushtrisë osmane dhe të vullnetarëve shqiptarë dhe hynë thellë në tokën shqiptare. Me këtë rast, ata masakruan mijëra shqiptarë të pafajshëm. Në rrethana të këtilla, pavarësisht se qarqet diplomatike të Fuqive të Mëdha, në nëntor, ia bënë të ditur Ismail Qemalit gjatë qëndrimit të tij në Vjenë se mbështesnin autonominë e Shqipërisë, kjo më për Të nuk kishte asnjë kuptim. Rrjedhimisht, më 28 nëntor 1912, u mbajt në Vlorë Kuvendi Kombëtar, i cili zgjodhi kryetar Ismail Qemalin. Delegatët nënshkruan dokumentin historik për pavarësinë e Shqipërisë, kurse pastaj u ngrit flamuri kombëtar përpara mijëra njerëzve që ndodheshin jashtë selisë së Kuvendit. Me këtë u kurorëzuan përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi.
Po ashtu, me një ceremoni solemne, 28 Nëntori u shënua edhe në Fakultetin e Administrimit të Biznesit të UT-së në Kumanovë. Organizatorët në këtë njësi akademike theksuan se, kjo ditë simbolizon lindjen e shtetit shqiptar dhe përfaqëson krenarinë, sakrificën dhe aspiratat shekullore për liri. Akademia solemne në Fakultetin Filozofik u përmbyll me një interpretim artistik të përgatitur nga studentët e Fakultetit të Arteve, Rinesa Krasniqi, Alban Shahini dhe Hadim Misimi. Për shqiptarët kudo në botë, 28 Nëntori është më shumë se një festë: është një kujtesë e gjallë e rrënjëve, e unitetit dhe e përkushtimit për të ardhmen.




