Drejtori i Institucionit Publik Parku Kombëtar “Mali Sharr" z.Evzal Elmazi i shoqëruar nga
bashkëpunëtorët e tij, Altin Idrizi, Valide Kamberi si dhe Prof. Dr. Besnik Rexhepi realizuan vizitë
pune me udhëheqësinë e Universitetit të Tetovës, të përbërë nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli,
Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe dekani i FSHMN-së, Prof.
Dr. Florim Idrizi.
Në kuadër të kësaj vizite, u nënshkrua Memorandum bashkëpunimi, i cili synon forcimin e
bashkëpunimit institucional ndërmjet IPPK “Mali Sharr” dhe Universitetit të Tetovës, për
zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike, profesionale, kërkimore, zhvillimore dhe
edukative që kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës, zhvillimin e qëndrueshëm dhe avancimin e
njohurive shkencore. Pikat kyçe ku bazohet ky memorandum përfshijnë ngritjen e kapaciteteve
profesionale të dy institucioneve; organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mjedisit,
biologjisë, ekologjisë, pylltarisë, turizmit malor, planifikimit hapësinor dhe fusha të tjera relevante;
promovimin e praktikave të qëndrueshme dhe menaxhimit efikas të resurseve natyrore si dhe
zhvillimin e programeve të përbashkëta të edukimit, kërkimit dhe inovacionit;
Ky bashkëpunim do të jetë i dobishëm edhe për studentët, të cilët do të kenë mundësi të realizojnë
praktikat e tyre profesionale. Po ashtu do të organizohen edhe vizita studimore, ekspedita kërkimore
dhe monitorime në terren. Ndër pikat kyçe do të jetë edhe organizimi i seminareve, konferencave
dhe punëtorive të përbashkëta për çështje që lidhen me mjedisin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe
ruajtjen e biodiversitetit. Parashihet edhe angazhimi i ekspertëve të IPPK “Mali Sharr” si ligjërues
të jashtëm në UT dhe anasjelltas.
Pjesë e kësaj marrëveshjeje do të jenë edhe bashkëpunimet në programet e BE-së, IPA, Horizon
Europe, Erasmus+, si dhe fonde të tjera donatore; hartimi i kampanjave të përbashkëta për edukim
mjedisor për nxënës, studentë dhe komunitet lokal dhe organizimi i aktiviteteve të Ditës së Tokës,
Ditës së Pyjeve, Ditës së Biodiversitetit, etj.
Ky memorandum bashkëpunimi është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjes ndërmjet dijes
akademike dhe mbrojtjes së trashëgimisë natyrore. Universiteti i Tetovës dhe Instituti Publik Parku
Kombëtar “Mali Sharr” do të kontribuojnë së bashku në zbatimin e pikave të memorandumit, duke
krijuar mundësi të reja për studentët, studiuesit dhe komunitetin lokal.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com