Korpusi i paqes vazhdon misionin e tij në Maqedoninë e Veriut, grup i ri prej 48 vullnetarësh amerikanë do të angazhohet gjatë dy viteve të ardhshme në shkollat e Maqedonisë, ku do të kontribuojë në përmirësimin e aftësive gjuhësore të nxënësve dhe krijimin e një mjedisi më gjithëpërfshirës në procesin mësimor. Sot, vullnetarët dhanë betimin solemn në një ceremoni të mbajtur në prani të përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore, ambasadores amerikane dhe drejtorëve të shkollave ku vullnetarët do të jenë të angazhuar.
“Jam vullnetare nga korpusi i paqes, do të punoj për Kryqin e Kuq. Jam shumë entuziaste dhe e dua shumë Maqedoninë, është vend shumë i bukur. Unë kam jetuar në Negotinë, është qytet shumë i bukur.”, – tha vullnetarja nga Florida, Elizabet Mendez.
“Në universitet kam studiuar shkenca politike dhe politika evropiane. Profesori im këshillues në Amerikë me të cilin isha shumë i afërt ishte nga Maqedonia, më saktë nga Tetova. Kisha një lidhje shumë personale me të, kuptova për mundësinë që të jem vullnetar në Korpusin e Paqes dhe e vlerësova si përvojë të rëndësishme për mua dhe ja tani jam këtu dhe jam shumë i lumtur për këtë. Këtu do të angazhohem si mësues i gjuhës angleze.”, – u shpreh vullnetari nga Merilendi, Benjamin Files.
Vullnetarët do të angazhohen në 20 shkolla fillore, 5 shkolla të mesme, 2 qendra burimore për nxënës me nevoja të veçanta arsimore, një shkollë për persona me dëmtim të shikimit dhe një kopsht.
“Këtë vit kemi grupin më të madh në krahasim me vitet e kaluara. Është grupi i 28-të i vullnetareve që ne kemi pranuar në Maqedoninë e Veriut, do të angazhohemi në tre fusha, fushën e edukimit, sektorin e zhvillimit të komunitetit dhe gjithashtu do ta rihapim programin e edukimit special për të cilën jemi shumë entuziast.”, – theksoi drejtori i Korpusit për Paqen në Maqedoninë e Veriut, David Ricejd.
“Ju do të kontribuoni në diçka shumë më të madhe, në përforcimin e partneritetit mes vendeve tona, krijimin e besimit të ndërsjellë, mirëkuptimit dhe miqësisë më të fuqishme mes dy popujve tanë.”, – deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
“Vullnetarët reflektojnë më të mirën që Amerika ia ofron botës dhe po aq e rëndësishme është që do ta dërgoni në Amerikë më të mirën që Maqedonia e Veriut ka ofruar për ju. Ju e ndërtoni urën më të qëndrueshme mes dy vendeve.”, – theksoi ambasadorja e ShBA-së, Angela Ageler.
Nga viti 1996, më shumë se 940 vullnetarë nga Korpusi i Paqes kanë shërbyer në Maqedoninë e Veriut.