Maqedonia e Veriut ka hyrë në garë me kohën. Deri në dhjetor të këtij viti, sipas tabelës së rezultateve të Programit të Zhvillimit dhe Reformës në Ballkanin Perëndimor, vendi duhet të përmbushë 29 reforma kyçe, ndërsa deri në Vitin e Ri kanë mbetur rreth dy javë. Kjo periudhë e shkurtër e vendos shtetin para një prove vendimtare, sepse këto reforma nuk janë vetëm kushte teknike, por tregues i pjekurisë institucionale, i funksionimit të drejtësisë dhe i gatishmërisë për integrim evropian. Çdo vonesë rrezikon besueshmërinë e procesit eurointegrues, ndërsa realizimi i tyre do të hapte rrugën drejt një kapitulli të ri politik dhe ekonomik për vendin. Në këtë kontekst kritik, spikasin disa reforma thelbësore, të cilat BE-ja i konsideron prioritet absolut dhe që Maqedonia duhet t’i përmbushë pa asnjë kompromis. Thelbësore janë miratimi i Kodit të ri Penal, përmirësimi i pavarësisë së gjyqësorit, si edhe miratimi i Ligjit për organizimin e organeve administrative. Po ashtu, kërkohet rritja e transparencës, reduktimi i korrupsionit dhe digjitalizimi i shërbimeve shtetërore, raporton Portalb.mk.

Nga 29 reformat e kërkuara, disa konsiderohen më urgjente dhe me ndikim më të drejtpërdrejtë në vlerësimin e BE-së për përparimin e vendit.

Një nga kërkesat më të rëndësishme është miratimi i Ligjit për procedurë penale, i cili duhet të harmonizohet plotësisht me acquis të BE-së dhe praktikat ndërkombëtare. Kjo reformë synon të rrisë efikasitetin e hetimeve, transparencën e proceseve gjyqësore dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Po aq i rëndësishëm është edhe miratimi i Kodit të ri Penal, i cili duhet të përkshtatë përkufizimet evropiane për veprat penale, të zgjatë afatet e parashkrimeve dhe të sigurojë sanksione më efektive për korrupsionin dhe abuzimin me detyrën.

Një tjetër shtyllë është garantimi i pavarësisë së gjyqësorit, ku kërkohet sigurimi i pavarësisë financiare të sistemit gjyqësor, zgjedhja në kohë e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor si dhe miratimi dhe zbatimi i Ligjit të ri për Prokurorinë Publike dhe Ligjit për Këshillin e Prokurorëve. Po ashtu, prokuroria për krimin e organizuar duhet të jetë e stafuar plotësisht me ekspertë financiarë dhe teknikë.

Një nga kërkesat më të rëndësishme është miratimi i Ligjit për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore, i cili do të sigurojë një administratë më të qartë, më profesionale dhe më efikase. Kjo plotësohet nga kërkesat për të rritur motivimin dhe mbajtjen e stafit, përmirësimin e kushteve të punës, promovimin sipas meritës dhe transparencën në largimet nga puna.

BE kërkon gjithashtu që të paktën 90% e pozitave drejtuese të plotësohen përmes konkurseve të hapura dhe transparente, duke e reduktuar ndikimin politik në emërimet publike.

Për parandalimin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, kërkohet miratimi i Planit të Veprimit për Parandalimin e Korrupsionit në Gjykata për periudhën 2026–2029. Po ashtu, në nivel të administratës shtetërore, buxhetet dhe institucionet kryesore duhet të zhvillojnë dokumente të menaxhimit të rrezikut për korrupsion.

Një reformë shumë e kërkuar është bashkimi i Maqedonisë së Veriut me listën e vendeve të besuara të BE-së për nënshkrimet elektronike, që i hap rrugë njohjes së ndërsjellë të identitetit elektronik dhe përdorimit të nënshkrimeve të avancuara dhe të kualifikuara. Kjo reformë është kyçe për modernizimin e ekonomisë dhe lehtëson shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Po ashtu, vendi duhet të përmbyllë hartimin dhe thjeshtimin e 100 procedurave administrative, duke i bërë ato më të shpejta, më të lira dhe më të qarta për qytetarët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në fushën e ekonomisë, Maqedonia e Veriut duhet të adoptojë Strategjinë e Pronësisë së Shtetit dhe Ligjin për Ndërmarrjet Shtetërore, të cilat do të rregullojnë më mirë menaxhimin e kompanive publike.

Në energji, kërkohet vazhdimi i integrimit të tregut të energjisë elektrike me BE-në dhe instalimi i matësve individualë të energjisë në ndërtesat e reja. Po ashtu, duhet të zbatohen masa për mbrojtjen e konsumatorëve vulnerabël dhe për monitorimin e saktë të varfërisë energjetike.

Këto reforma nuk janë vetëm kushte të BE-së, por domosdoshmëri për funksionimin demokratik dhe ekonomik të Maqedonisë së Veriut. Zbatimi i tyre i afërt, i plotë dhe i pakushtëzuar do të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm në hapjen e kapitujve të negociatave, por edhe në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve dhe forcimin e institucioneve të shtetit.

Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë është shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com