Me një letër drejtuar opinionit publik, në të cilën thekson se familja e tyre vazhdon të jetojë me padrejtësi, është drejtuar Krumë Ristovski, babai i 22-vjeçares Teodora, e cila në vitin 2022 humbi jetën pasi u godit në një vendkalim për këmbësorë.

Shoferi Mensur Pajaziti (49) u dënua me dy vjet burg për vdekjen e Teodorës, ndërsa babai Krumë shkruan se për vepra të njëjta në shtet, disa autorë janë dënuar edhe me mbi dhjetë vjet burg.

– Para disa ditësh lexoj se për marrjen e jetës së një njeriu jepen 13 vjet burg, sot dëgjoj edhe 11 vjet burg. Dhe pyes publikisht: a vlente jeta e vajzës sime vetëm 2 vjet? Kërkoj drejtësi. Të njëjtën drejtësi për të gjithë. Ligjet nuk guxojnë të zbatohen në mënyrë selektive. Lotët e një babai në Tetovë nuk janë më pak të dhimbshëm se lotët e një babai në Shkup. Jeta e një fëmije nuk ka qytet, nuk ka kombësi, nuk ka çmim. Dy vjet burg për një jetë të marrë nuk është mesazh drejtësie, është mesazh se sistemi nuk na sheh të gjithëve njësoj, – thotë Krumë Ristovski në letrën e tij.


Ai shton se nga shpallja e aktgjykimit e deri më sot ka heshtur, por jo sepse i ka kaluar dhimbja, por sepse ndonjëherë fjalët peshojnë më shumë se lotët.

– Unë jam babai i Teodorës. Një fëmijë që e humba përgjithmonë. Një fëmijë që kishte të ardhme, ëndrra dhe një jetë që nuk duhej të përfundonte ashtu. Teodora ishte nxënëse e shkëlqyer, e përkushtuar dhe punëtore. Ishte studente e mirë në Fakultetin e Makinerisë. I kishin mbetur edhe dy provime – dhe do të bëhej inxhiniere e makinerisë. Një e re që luftonte për të ardhmen e saj me dije dhe përpjekje. Heshtja nuk do të thotë pajtim. Heshtja do të thotë se dhimbja piqet. Dhe do të vazhdoj të flas. Jo nga urrejtja, por nga dashuria për Teodorën time dhe nga shpresa se asnjë familje tjetër nuk do ta përjetojë këtë padrejtësi, – thotë Krumë Ristovski.

Pas aksidentit të trafikut në gusht të vitit 2022, në gjykimin e parë në nëntor 2023, pas pranimit të fajësisë, Pajaziti u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg.

Pas ankesës, Gjykata e Apelit e uli dënimin në dy vjet burg, ndërsa Gjykata Supreme i shfuqizoi të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit dhe lëndën e ktheu për rigjykim.

Në rigjykimin e mbajtur në prill të vitit 2025, Pajaziti u dënua sërish me dy vjet burg.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com