“Hekurudhat–Transport” do të blejnë lokomotiva të reja përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 20.9 milionë euro. Projektligji për huamarrje tashmë është dorëzuar në Kuvend, ndërsa qëllimi i blerjes së lokomotivave të reja është përmirësimi i shërbimeve në transportin e mallrave.
Analiza e kryer nga BERZH rekomandon që të realizohet blerja e deri në pesë lokomotiva elektrike. “Lokomotivat e reja do të prodhohen me nivel të lartë teknik dhe parashihet trajnim i personelit të vozitjes, si dhe mbështetje gjatë vënies në përdorim të mjeteve dhe gjatë periudhës fillestare të mirëmbajtjes. Po ashtu, blerja duhet të përfshijë të gjitha mjetet speciale të nevojshme dhe pjesë rezervë, me qëllim vendosjen e një regjimi të mirëmbajtjes për zëvendësimin e komponentëve të mjeteve”, thuhet në Projektligj.
Afati i shlyerjes së kredisë është 15 vjet, me një periudhë grejs prej 4 vjetësh. Norma e interesit është variabile dhe përbëhet nga EURIBOR-i gjashtëmujor, i rritur për një marzh prej 1 për qind.
Kredia do të shlyhet në 22 këste gjysmëvjetore, të cilat do të paguhen më 20 janar dhe 20 korrik të çdo viti. Shteti do t’i paguajë BERZH-it edhe një komision të njëhershëm prej 1 për qind, ndërsa për mjetet e papërdorura komisioni do të jetë 0.5 për qind.