SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër M.Z. (46) nga Tetova dhe kundër një personi juridik – ndërmarrje transporti nga Tetova, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “mashtrim” dhe “dhënie e deklaratës së rreme”. Gjatë muajve shtator dhe tetor 2024, të denoncuarit, edhe pse e dinin se kontrata për transportin e nxënësve të rregullt, e lidhur mes tyre dhe një shkolle të mesme, kishte skaduar, pa bazë juridike kanë përgatitur fatura në vlerë prej 15.034.110 denarësh për dy muaj dhe i kanë dorëzuar në shërbimet përkatëse të shkollës me qëllim që të kryhej pagesa. Të denoncuarit nuk kanë arritur t’i vënë në mashtrim përgjegjësit e shkollës, pas së cilës, te noteri kanë dhënë deklaratë të rreme dhe kanë dorëzuar faturat duke kërkuar që të përgatitet propozim-vendim për urdhër pagesë noterial, i cili është nxjerrë nga noteri.
SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal edhe kundër Q.F. (59) nga fshati Shemshovë dhe kundër një personi juridik nga fshati Shemshovë, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “mashtrim” dhe “dhënie e deklaratës së rreme”. Gjatë muajve shtator dhe tetor 2024, të denoncuarit, edhe pse e dinin se kontrata për transportin e nxënësve të rregullt, e lidhur mes tyre dhe një shkolle të mesme në Tetovë, kishte skaduar, më 10.06.2025, pa bazë juridike, kanë përgatitur fatura për muajin shtator dhe tetor 2024 në vlerë totale prej 2.152.447 denarësh, dhe më pas i kanë dorëzuar në shërbimet përkatëse të shkollës me qëllim që t’i vënë në mashtrim dhe të realizohet pagesa e faturave. Të denoncuarit kanë dhënë deklaratë të rreme te noteri, duke kërkuar që të përgatitet propozim-vendim për urdhër pagesë noterial.