Këshilli i Komunës së Butelit sot ka miratuar buxhetin më të madh dhe më ambicioz që kjo komunë ka pasur ndonjëherë, në vlerë prej 848 milionë denarësh, duke e orientuar atë drejtpërdrejt drejt zhvillimit dhe përmbushjes së nevojave reale të qytetarëve. Kështu përmes një statusi në faqen e tij zyrtare ka informuar, kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili më tej ka theksuar se bëhet fjalë për një buxhet zhvillimor, i cili është në shërbim ekskluziv të qytetarëve dhe realizimit të kërkesave të tyre konkrete.

Sipas Kostovskit, 63 për qind e buxhetit është i dedikuar për projekte kapitale, çka përbën një rekord absolut për komunën.

Megjithatë, Kostovski shprehu keqardhje që këshilltarët e BDI-së, VLEN-it dhe Levicës nuk e mbështetën buxhetin, duke votuar kundër projekteve kyçe si furnizimi me ujë për Lubancën dhe Lubotenin, ndërtimi i një poliklinike të re, hapja e rrugëve të reja në disa lagje dhe projekte të tjera zhvillimore, që sipas tij janë jetike për qytetarët e Butelit. Ai theksoi se për më shumë se 20 vjet këto subjekte politike nuk kanë treguar interes real për qytetarët e komunës së Butelit.


Sipas Kostovskit me këtë buxhet janë paraparë mjete për realizimin e një sërë projektesh madhore, përfshirë ndërtimin e një poliklinike të re, përfundimin e ujësjellësit për Lubancën dhe Lubotenin, ndërtimin e një çerdheje në Butel 2, një pishinë noti në SHF “Aco Shopov”, ura të reja mbi lumin Seravë, rregullimin e shtratit të lumit, rikonstruksionin e rrugëve kryesore dhe atyre lokale, ndërtimin e kanalizimeve të reja, si dhe qendra sportive, kënde lojërash për fëmijë dhe shtigje këmbësorësh. Po ashtu, janë ndarë mjete për ndihmë financiare për të porsalindurit, pensionistët, familjet në rrezik social, bursa sportive, mbështetje për klubet sportive dhe organizimin e ngjarjeve kulturore e sportive.

Kryetari i Butelit gjithashtu ka informuar se edhe këtë vit nuk janë paraparë mjete për përfaqësim, shpenzime udhëtimi apo shpenzime joproduktive, duke theksuar se paratë e qytetarëve do të përdoren vetëm për nevojat e tyre.

Sipas Kostovskit viti 2026 do të jetë vit i zhvillimit intensiv, me projekte të rëndësishme në të gjitha vendbanimet, duke riafirmuar angazhimin për një Butel modern, stabil dhe prosperues.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com