Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot mban seancën e 76-të, në rend dite të së cilës janë Propozimi për shkarkimin e Kryeprokurorit, Lupço Kocevski, si dhe Rezoluta e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe konfirmimin e politikave kundër migrimit të paligjshëm.

Qeveria kërkon shkarkimin e Kocevskit për shkak të, siç thuhet, gabimeve të rënda profesionale, përfshirë zbulimin e paautorizuar të informatave për çështje gjyqësore, shkeljen e konfidencialitetit dhe dëmtimin e reputacionit të Prokurorisë Publike, duke mos vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Rezoluta për migrimin e paligjshëm përbëhet nga nëntë pika dhe, sipas VMRO-DPMNE-së, synon t’i japë fund spekulimeve dhe manipulimeve për gjoja pranimin e migrantëve dhe ndërtimin e kampeve, duke përcaktuar qartë kornizën e politikës shtetërore të migrimit.

Në rend dite janë edhe disa propozim-ligje në lexim të parë, përfshirë ndryshime në ligjet për rrugët shtetërore, Këshillin Gjyqësor dhe çmimet shtetërore, si dhe vendime për emërime, pjesëmarrjen e ARM-së në misionin UNIFIL në Liban, vazhdimin e gjendjes së krizës për shkak të migrimit dhe ratifikimin e marrëveshjes me Bullgarinë për tunelin hekurudhor ndërkufitar.

Me procedurë të shkurtuar do të shqyrtohen edhe ndryshime në Ligjin për buxhetet, garancitë shtetërore për projektin fotovoltaik Manastir 3 dhe projektet energjetike, si dhe ndryshime në Ligjin për shpronësim.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com