MSH ka njoftuar se në vdekjen e foshnjës në Spitalin Gjinekologjik nuk është konstatuar gabim Mjekësor
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në vdekjen e foshnjës në Spitalin Gjinekologjik nuk është konstatuar gabim Mjekësor. Në një njoftim me shkrim theksohet se komisioni për mbikëqyrje profesionale ka konstatuar se procedura e reanimimit është zbatuar sipas protokollit.
“Në bazë të dokumentacionit të plotë mjekësor, deklaratave të personelit mjekësor dhe gjetjeve të autopsisë, Komisioni konstatoi se bëhet fjalë për një foshnjë të lindur para kohe, me infeksion të rëndë dhe funksion pulmonar të dëmtuar për shkak të mushkërive të paformuara”, theksohet në njoftim. Ditë më parë familjarët hodhën dyshime për gabim mjekësor, duke theksuar se në dy ditët e para pas lindjes foshnja ishte në gjendje të mirë shëndetësore, që më pas në ditën e tretë të marrin njoftimin se mund të vdesë në çdo kohë.