Paraburgim për pesë klientë të një vajze 15-vjeçare në Tetovë, mes të cilëve edhe për të dashurin e saj i cili e ka droguar dhe e ka prostituar
Njësia nacionale për shtypjen e kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit me njerëz pranë MPB-së ka zbuluar një rast të trafikimit të një fëmije nga një person i rritur (mashkull), i cili pasi e kishte droguar fëmijën, e kishte shitur atë për shërbime seksuale te katër burra të tjerë, të cilët e dinin se po kryenin marrëdhënie me një fëmijë. Duke vlerësuar rrethanat, prokurori publik vërtetoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit dhe gjyqtarit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup i propozoi caktimin e kësaj mase për të pestë të dyshuarit.
Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK), duke vepruar sipas kallëzimit penal të dorëzuar nga Njësia nacionale për shtypjen e kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit me njerëz pranë MPB-së, ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër pesë personave.
„I dyshuari i parë, nga vjeshta e vitit 2023 deri në fund të vitit 2024, në Tetovë, pasi kishte filluar një lidhje emotive me viktimën e atëhershme pesëmbëdhjetëvjeçare, ka keqpërdorur pozitën e partnerit dashuror dhe duke manipuluar vazhdimisht me të dhe duke shfrytëzuar besimin që viktima i kishte dhënë, e ka sjellë atë në gjendje varësie. Duke përdorur forma të ndryshme të detyrimit, ai i ka mundësuar viktimës të konsumojë substanca psikotrope, me çka e ka sjellë në gjendje të paaftësisë fizike ose mendore, duke vendosur kontroll mbi të. Duke e privuar nga aftësia për të marrë vendime në mënyrë të pavarur, ai e ka futur fëmijën-viktimë në gjendje të shfrytëzimit seksual. Me qëllim të përfitimit pasuror, ai e ka detyruar viktimën të ofrojë shërbime seksuale, ndërsa të dyshuarve të tjerë dhe personave të tjerë të paidentifikuar u ka mundësuar të shfrytëzojnë shërbime seksuale nga fëmija-viktimë, të cilët edhe pse e kanë ditur dhe kanë qenë të detyruar dhe kanë mundur ta dinë se është viktimë e trafikimit me njerëz, përsëri kanë shfrytëzuar shërbimet seksuale dhe e kanë paguar të dyshuarin drejtpërdrejt ose përmes fëmijës-viktimë“, njoftoi Prokuroria.
Pas ngritjes së aktakuzës, ky gjykim për fëmijën-viktimë do të jetë i mbyllur për publikun.