Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik ditën e djeshme, pasi gazetari Elton Tozaj është dhunuar brutalisht në autostradën Tiranë–Durrës.

Vetë Tozaj ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar një fotografi në të cilën shfaqet me shenja të dukshme dhune në fytyrë, pas goditjeve të marra. Pamjet kanë shkaktuar reagime të shumta, ndërsa shqetësimi është rritur pas njoftimit të familjes për gjendjen e tij shëndetësore.

Sipas familjarëve, gazetari ndodhet aktualisht në gjendje të rënduar dhe po merr trajtim intensiv mjekësor. Situata konsiderohet delikate, pasi Tozaj po lufton për të mos humbur shikimin, çka e bën këtë ngjarje edhe më alarmante.


Në një reagim publik, familja e gazetarit ka dhënë detaje mbi sulmin, duke theksuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në autostradën Tiranë–Durrës dhe se autorët e dhunës janë tashmë të identifikuar. Ajo që ka ngjallur më shumë reagime është kërkesa e familjes që një personazh i njohur i showbiz-it, i cili sipas tyre frekuenton personat e përfshirë në ngjarje, të distancohet publikisht dhe të sqarojë lidhjen që ka me një vajzë të përmendur në kontekstin e incidentit në zonën Ura–Patok–Kodra e Diellit.

“Eltoni po lufton për të mos humbur shikimin dhe shpresojmë që së shpejti të rikthehet pranë nesh si më parë,” thuhet në mesazhin prekës të familjes.

Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e gazetarëve dhe nevojën për hetim të plotë e transparent, ndërsa pritet reagimi i institucioneve për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com