SHQIPËRIKërkesa e gjyqtarëve për rritje rroge, Rama kundër: Mendojnë se çekiçin mund ta përdorin për hapjen e arkës së shtetit
Kryeministri Edi Rama, gjatë Podkastit ‘FLASIM’, teksa reagoi në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer në detyrë zv. kryeministren dhe ministren Belinda Balluku, u ndal edhe te kërkesa e gjyqtarëve për të rritur pagat e tyre.
Rama u shpreh këtë të diel se “kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë here jo falë një prokurori e një gjykatësi të vetëm, po falë dy shoqatash të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatësit për të rritur pagat e tyre”.
Këtë kërkesë Rama e quan si një kërkesë prej tyre për të “marrë përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit”.
“Ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit, duke u treguar, jo thjeshtë të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqipërisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë të pavarësuar nga politika tanimë. Dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtësisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ja rritur rrogat vetes, dhe sa përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat e prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për Gjykatën Speciale e për Spak-un”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, ai thekson se dy indicie që i quan tejet shqetësuese, nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë “u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia”.