Shkruan: Merxhan Jakupi
Në hapësirën e trojeve shqiptare, me pushtimin e trojeve arbërore nga Perandoria Osmane, klasa feudale u zëvendësua nga familjet që u konvertuan në Islam. Para ardhjes së Perandorisë Osmane, klasën e elitës dhe aristokrate e përbënin fiset dhe familjet Mozakajt, Arianitët, Topiajt, Kastriotët e të tjerë.
Kjo shtresë, me ardhjen e osmanëve, në shumicë u konvertua në fenë islame. Ata u bënë pashallarë, bejlerë, senafë dhe pjesë e elitës që administronte nëpër institucionet hierarkike të katër vilajeteve me shumicë shqiptare. Kjo shtresë e lartë ishte klasa aristokrate e popullit shqiptar.
Popullata sllave banonte kryesisht në pjesët periferike dhe në provincat rurale.
Kjo klasë elitare aristokrate ishte trungu i popullit shqiptar në Gadishullin Ballkanik. Klasa aristokrate e familjeve dhe fiseve shqiptare ishte aktore e kauzës dhe aspiratave të lëvizjes kombëtare shqiptare. Kjo shtresë dhe elitë ishte protagoniste dhe bartëse e Lidhjes së Prizrenit.
Pas Luftërave Ballkanike dhe gjatë periudhës së Mbretërisë Jugosllave, filloi kataklizma, eliminimi, shfarosja dhe dëbimi i klasës aristokrate në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore. Pushtimi nga forcat ushtarake serbe shënoi fillimin e reformave agrare dhe sjelljen e kolonëve nga Bosnja dhe Serbia.
Ky diskurs dhe kjo narrativë ndryshuan tërësisht strukturën shoqërore dhe demografinë e trojeve shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore. Kësaj klase, bejlerë, fisnikë dhe esnafë, që përbënin shtresën e lartë të aristokracisë, iu uzurpuan tokat, pronat dhe vendet e punës.
Pjesa më e madhe e kësaj klase, për shkak të dhunës dhe represaljeve, u detyrua të shpërngulet në Turqi dhe në disa shtete të Lindjes. Një pjesë , pas marrjes së pronave, rregjimi i Krajlit i burgosi dhe i persekutoi.
Qytetet urbane, tokat pjellore dhe minierat i morën serbët. Pjesa që banonte në zonat urbane, qytetarët shqiptarë dhe një pjesë e vogël e minoritetit turk, u zëvendësuan me sllavë vendas dhe kolonë nga Bosnja dhe Serbia. Të gjitha institucionet dhe administrata u morën nga serbët dhe malazezët.
E gjithë struktura demografike dhe etnike u ndryshua. Shqiptarët, më së shumti banonin në zonat rurale.
KONFISKIMI I PRONAVE TË SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVINË E TITOS
Regjimi komunist filloi me të njëjtën monedhë, gjuetinë e shtrigave, marrjen dhe konfiskimin e tokave, pronave dhe dyqaneve të shtresës qytetare shqiptare dhe të minoritetit turk. Disa familjeve ish-bejlerësh, qytetarë të shtresës së mesme, që kishin toka, dyqane dhe artizanate të mbetura nga periudha e Mbretërisë Jugosllave edhe atyre iu ishte konfiskuar pasuria.
Regjimi komunist vazhdoi të njëjtën doktrinë ndaj klasës qytetare, marrjen e pronave, ndjekjen dhe burgosjen me motive politike të klasës së mesme qytetare shqiptare, si dhe burgosjen dhe dëbimin në Turqi.
Shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë Perëndimore, Luginë dhe Mal të Zi, në shumicë mbi 70 për qind, jetonin dhe banonin në provinca rurale të varfra. Serbët, malazezët dhe maqedonasit jetonin përgjithësisht në zonat urbane.
Pjesa rurale e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore merrej me bujqësi dhe blegtori. Pjesa dominuese e sllavëve që jetonin në zonat urbane, në qytete ishin shoqëri moderne dhe urbane të stilit perëndimor. Ata kishin në dorë të gjitha institucionet shtetërore.
Të gjithë anëtarët e familjeve ishin të punësuar në institucione . Pleqtë merrnin pensione, çiftet ishin të punësuara, ndërsa fëmijët vazhdonin shkollimin dhe, pas mbarimit të shkollave, ata punësoheshin në të njëjtat pozita si prindërit e tyre.
Të gjitha kombinatet dhe firmat udhëhiqeshin nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumicës së punonjësve në kombinate dhe firma të mëdha u ndaheshin banesa falas. Pas martesës, çiftet e sapomartuara merrnin kredi me hipoteka solide nga bankat.
Shqiptarët, në dy periudhat e shteteve sllave, ishin të diskriminuar dhe të majorizuar, që ngjante me një lloj aparteidi dhe segregacioni pasiv e marginalizues. Shqiptarët, që përbënin mbi 70 për qind të popullatës, jetonin kryesisht në familje kolektive, tradicionale dhe konservatore.
Shumica e popullatës shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni punonin në ish-republikat jugosllave, ndërsa në vitet 70-ta dolën për të punuar në shtetet perëndimore, ku statusi i tyre u përmirësua.
Në vitet e 70-ta, qeveria e Shkupit u bë mostër e projekteve të Beogradit. Narrativa dhe paradigma e tyre, ishte që pas përfundimit të shpërnguljes së shqiptarëve deri në fund të viteve 60-ta në Turqi, të fillojë sjellja e atyre që njioheshin si “egejca”, një minoritet sllav dhe bullgar nga Greqia.
Ky minoritet sllav, gjatë Luftës Civile në Greqi (1945–1949), pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u dëbua në shtetet e kampit komunist. Qeveria e Maqedonisë i solli duke u dhënë shtëpi, banesa dhe vende pune. Shumica e ndërtimeve të pallateve dhe apartamenteve u realizua në truallin e pronarëve shqiptarë.
Shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore, në vitet e70-ta, mbi 70 për qind, jetonin në provinca dhe zona rurale.
Pas viteve 80-ta filloi dyndja dhe shpërngulja nëpër qytete. Tashmë, në vendbanime dhe qytete, popullata është heterogjene.
Për të krijuar një shtresë aristokrate tek një popull duhen shekuj. Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë nuk kanë një klasë aristokrate të konsoliduar. Kjo klasë ka filluar të lëshojë rrënjët si një fidan, që në të ardhmen do të rritet dhe do të bëhet si një lis.
Mgid