Arben Taravari, kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ku theksoi se se opozita shqiptare ka bërë gabimet e saj, por njëkohësisht ka pasur edhe ndërhyrje nga pushteti.

Ai tha se një prej mangësive të koalicionit opozitar ka qenë pamundësia për t’ua përcjellë qytetarëve porosinë e duhur dhe zgjedhjet e disa kandidaturave që, sipas tij, nuk kanë qenë më të përshtatshmet.

Megjithatë, Taravari theksoi se tash opozita duhet të konsolidohet dhe të vazhdojë betejën në mënyrë të bashkuar.

“Lëshime kemi pasur po se po, se pa gabime tona nuk do të ishte kjo. Lëshimi i parë ishte, që nuk arritëm ta çojmë porosinë definitive deri te qytetari dhe në disa vende gabuam me disa kandidatura, por tash këto janë rezultatet dhe tash ne duhet të përgatitemi të konsolidohemi si opozitë dhe ta vazhdojmë betejën si opozitë e bashkuar, se kjo është e domosdoshme për t’i treguar komplet të gjitha dështimet që i ka kjo qeveri”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai shtoi se brenda koalicionit VLEN realisht veprojnë dy parti dhe disa grupe të tjera, gjë që shihet qartë nga mënyra se si janë zhvilluar garat nëpër komuna.

Sipas Taravarit, qeveria ka ndërhyrë në mënyrë të paprecedentë në procesin zgjedhor.

“Edhe në VLEN mund të themi se ka 5-6 parti. Realisht në VLEN janë dy parti edhe ka grupe. Në opozitë ka grupe njerëzish, shihet te komunat dhe te kandidaturat – realisht kush e ka bërë garën dhe si është bërë gara. Komplet shteti dhe komplet shërbimet, ka qenë një inxhiniering i jashtëzakonshëm, asnjëherë një parti maqedonase në qeveri nuk është angazhuar kaq shumë si VMRO tash për VLEN-in. Kurrë në historinë e Maqedonisë këto 35 vite”, potencoi ish-ministri i Shëndetësisë.

Taravari paralajmëroi se opozita do të vazhdojë aktivitetet e saj politike, duke u përgatitur për fazën e re të veprimit politik pas zgjedhjeve.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com