Agjencia Kombëtare për Programet Evropiane të Arsimit dhe Mobilitetit sot prezantoi rezultatet e realizimit të programeve të Bashkimit Evropian “Erasmus+” dhe “Korpusi Evropian i Solidaritetit” në vitin 2025. Të dhënat tregojnë shfrytëzim e 95% të buxhetit të disponueshëm dhe implementimin me sukses të projekteve të shumta për rrjetëzimin e përfituesve nga Maqedonia me partnerë nga vende të tjera evropiane.

U.D. drejtoreshës e Agjencisë Kombëtare, Ana Mihajllov, informoi se këtë vit me mbi 7 milionë euro janë financuar 148 projekte, me të cilat janë përfshirë gjithsej 2079 përfitues.

“Pjesa më e madhe e projekteve i referohen prioriteteve horizontale, metodave të reja të të mësuarit dhe punës, aftësive dhe kompetencave për edukim digjital, gjithpërfshirje dhe shëndet mendor. Projektet u realizuan në bashkëpunim me partnerë nga vendet e rajonit, por edhe nga Franca, Belgjika, Austria, Portugalia, Polonia, Finlanda, Gjermania dhe vende të tjera”, tha Mihajlov.

Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Elena Ivanovska, shprehu mirënjohje për të gjithë ata që u angazhuan në përgatitjen e projekteve për mbështetjen dhe zhvillimin e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit.

“Janë financuar projekte cilësore dhe të dobishme dhe i ftoj përfituesit e deritanishëm që ta ruajnë interesimin dhe angazhimin në të njëjtin nivel që edhe vitin e ardhshëm të aplikojnë sërish për mbështetje përmes këtyre programeve, të cilat janë komponente jashtëzakonisht të rëndësishme të strategjisë gjithpërfshirëse kombëtare për integrimin e sistemit arsimor maqedonas në hapësirën arsimore evropiane”, tha Ivanovska.

Sekretarja informoi se buxheti për vitin e ardhshëm është i disponueshëm përmes këtyre dy programeve, ku do të jetë njëri ndër buxhetet më të larta ndonjëherë dhe do të arrijë në mbi 8.17 milionë euro, gjegjësisht 430 mijë euro më shumë se në vitin 2025.
“Pres që Agjencia Kombëtare të intensifikojë aktivitetet e saj për njohjen e sa më shumë përdorues të rinj, përdorues potencialë në të gjithë vendin – nxënës, studentë, punonjës mësimorë – shkencorë, studiues, institucione arsimore, kompani, shoqata qytetare, vullnetarë, punonjës të rinj e kështu me radhë, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si autoriteti kombëtar për programet, do të ndihmojë në këtë drejtim. Është e rëndësishme të ketë fushata promovuese në terren në bashkëpunim me qeveritë lokale, të ketë info-ditë të hapura, konferenca, fushata mediatike e kështu me radhë, sepse edhe Bashkimi Evropian, në mënyrë të kuptueshme, pret transparencë të lartë dhe gjithpërfshirje të madhe”, tha Ivanovska.
Në konferencë, praktikat pozitive nga projektet e realizuara i prezantoi Fakulteti Filozofik në Shkup, Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Dr. Pançe Karagjozov” në Shkup, Federata e Karatesë e Maqedonisë, Unioni i Punës Rinore, Shoqata për Zhvillimin e Komunitetit Rom “Sumnal” dhe përfitues të tjerë të mjeteve në kuadër të programeve.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com