Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë masa ndaj incidentit të djeshëm, ku një person dëmtoi xhamin e derës së ambasadës së Bullgarisë në Shkup. Pas aktiviteteve të ndërmarra për gjetjen e autorit dhe zbardhjes së rastit, policia njoftoi se ka privuar nga liria një person që dyshohet se ka shkaktuar incidentin.

MPB

“Sot (12.01.2026), në orën 12:40, në rrugën “Kirili dhe Metodi” në Shkup, zyrtarë policorë nga Njësia e Punëve të Brendshme Qendër dhe Bit Pazar e privuan nga liria personin Sh.A. (54) nga Shkupi, pasi dje (11.01.2026) ai kishte dëmtuar xhamin e derës hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, u ndërmorën masa dhe aktivitete për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e rastit, dhe Sh.A. u arrestua, ndërsa pas dokumentimit të rastit do të parashtrohet kallëzim përkatës”.

Ndërkaq, pas reagimit të Ministrisë së Jashtme, sot ka reaguar edhe ministri i Jashtëm Timço Mucunski, i cili e dënoi incidentin dhe tha se bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe se institucionet kanë reaguar shpejt dhe me efikasitet.

Timço Mucunski, ministër i Jashtëm

“Sipas informacioneve fillestare, dëmi material i shkaktuar nuk është i madh, por pavarësisht kësaj incidenti dënohet maksimalisht. Ministria e Punëve të Brendshme është kompetente për hetimin dhe se aty duhet të kërkohen informacione më të detajuara. Por, ajo që mund të them është se, institucionet kanë reaguar shpejt dhe me efikasitet ndaj kësaj ngjarje”.

Incidenti ndodhi të dielën, ndërsa ngjarja u konfirmua me fotografi dhe video të publikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, e cila reagoi ashpër, duke e vlerësuar si sulm ndaj misionit diplomatik.

“Shprehim shqetësim të thellë se ky akt i shëmtuar është rezultat i mungesës sistematike të reagimit nga ana e institucioneve kompetente në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndaj sulmeve të mëparshme dhe akteve vandaliste ndaj objekteve të lidhura me Bullgarinë dhe komunitetin bullgar”, thanë në njoftimin nga Sofja.

Kujtojmë se incidente të këtilla në vend janë regjistruar edhe më herët, ku në territorin e Maqedonisë janë vandalizuar objekte kulture bullgare.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com