policia e Durrësit ka arrestuar një 29-vjeçar, i dyshuar si autor i vjedhjeve në disa banesa. Në kuadër të operacionit të koduar “Target”, u vu në pranga shtetasi D. C., 29 vjeç, banues në Sukth.
“Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka vjedhur 3 herë, gjatë periudhës dhjetor 2025-janar 2026, shuma parash, bizhuteri dhe pajisje të ndryshme, në banesën e një shtetaseje italiane, në Fermë Sukth. Gjithashtu, dyshohet se ka vjedhur në 5 banesa të tjera.
Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, 29-vjeçarit iu gjetën një pistoletë sportive që e mbante pa leje, si dhe një maskë dhe një palë doreza të cilat dyshohet se i përdorte për të kryer vjedhjet”, bëri me dije policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, veprat penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.