“I zumë paksa në befasi”: Trumpi thotë se shumë ushtarë kubanë u vranë në operacionin për kapjen e Maduros
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se “shumë, shumë” njerëz u vranë gjatë operacionit për kapjen e presidentit të rrëzuar venezuelas, Nicolas Maduro, duke i përmendur posaçërisht kubanët.
“I kapëm paksa në befasi” pasi dritat në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, u fikën, qartazi i kënaqur me mënyrën se si u zhvillua operacioni, raporton televizioni BBC.
Në të njëjtën kohë, ai i kritikoi kundërshtarët politikë, duke e akuzuar “të majtën radikale” se po paguan njerëz për të protestuar kundër rrëzimit të Maduros. Një akuzë e tillë përmendet shpesh, por Shtëpia e Bardhë nuk ka paraqitur ndonjë dëshmi të palëkundur për ta mbështetur pretendimin.
Korrespondentja e BBC-së për Amerikën Jugore, Ione Wells, thotë se Trumpi mund të vazhdojë të këmbëngulë se ShBA-ja është duke e drejtuar Venezuelën, por, në realitet, Qeveria e Venezuelës është goxha shumë në pushtet.
Delcy Rodriguez është presidente në detyrë, shumë prej ministrave të Maduros janë ende në pozitat e tyre dhe ushtria, deri më tani, po i qëndron besnike asaj.
Trumpi ka lëshuar kërcënime serioze për zonjën Rodriguez, duke thënë se nëse ajo nuk e bën “gjënë e duhur”, mund të ballafaqohet me fatin e njëjtë si të Maduros ose edhe më keq.