Këshilli i Mbrojtjes i sapoformuar i Iranit paralajmëroi sot sevendi mund të reagojë para një sulmi – nëse zbulohen shenja të qarta të një kërcënimi, një qëndrim që – në mënyrë implicite – ngre mundësinë e veprimeve parandaluese mes tensioneve në rritje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin.
“Çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit ose veprim për të minuar stabilitetin në vend do të marrë përgjigje”, tha këshilli, i cili u krijua në gusht.
Gazeta shtetërore “Tehran Times” iu referua vetëmbrojtjes së mundshme parandaluese.
Sipas raporteve të medias, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka informuar Teheranin nëpërmjet Moskës se Izraeli nuk synon një përshkallëzim ushtarak.
Izraeli dhe Irani nuk ruajnë marrëdhënie diplomatike dhe nuk kanë kanale të drejtpërdrejta komunikimi.
“Sigurisht, armiku keqdashës është një gënjeshtar mashtrues dhe ne nuk i besojmë atij”, tha sot udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei në një postim sot në X – duke shprehur skepticizëm.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit kreu manovra dy ditë më parë, duke testuar mbrojtjen e saj ajrore dhe gatishmërinë e njësive të saj raketore.
Izraeli dhe SHBA-ja bombarduan objektiva në Iran, përfshirë instalimet bërthamore, gjatë një lufte 12-ditore në qershor.
Forcat iraniane lëshuan raketa balistike drejt Izraelit në përgjigje të sulmeve.
Udhëheqja izraelite beson se Teherani po punon për të rindërtuar arsenalin e tij raketor, i cili shihet nga Izraeli si një kërcënim i madh, dhe për të rifilluar programin e tij bërthamor.
Paralajmërimi për sulm parandalues erdhi ndërsa forcat e sigurisë së brendshme iraniane u përballën me protesta të gjera popullore mbi koston e jetesës.