Ministri i Jashtëm i Holandës, David van Weel shprehu mbështetje për Danimarkën dhe Grenlandën, duke theksuar të drejtën e tyre për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre, pas thirrjeve të përsëritura nga ShBA-ja për të marrë kontrollin e Grenlandës.
“Grenlanda luan rol kyç në ruajtjen e sigurisë së Arktikut. Holanda inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin midis aleatëve të NATO-s për të forcuar më tej sigurinë tonë atje. Lidhur me të ardhmen e Grenlandës, i takon Danimarkës dhe Grenlandës të vendosin”, shkroi sot Van Weel në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X.
Ai vuri në dukje se “Holanda mbështet plotësisht miqtë e saj danezë”.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të marrë kontrollin e Grenlandës, një territor vetëqeverisës brenda Danimarkës dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë ta bëjë këtë me forcë ushtarake.
Një ditë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë që kapi presidentin Nicolas Maduro, Trump të dielën përsëriti thirrjet e tij për marrjen nën kontroll të Grenlandës nga amerikanët për hir të interesave të sigurisë së ShBA-së.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen i ka kërkuar Trumpit të “ndalojë kërcënimet”.
Disa vende evropiane si dhe Bashkimi Evropian treguan respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të Danimarkës dhe Grenlandën të hënën, duke hedhur poshtë çdo sugjerim se e ardhmja e ishullit mund të vendoset nga fuqitë e jashtme.