Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë të paktën shtatë persona të vdekur dhe duke ndërprerë energjinë elektrike për qindra-mijëra shtëpi.

Shkollat dhe rrugët në mbarë vendin janë mbyllur, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar, pasi kushtet e vështira janë shtrirë nga Teksasi deri në New England, ka bërë të ditur Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS).

Të paktën dy persona kanë humbur jetën nga hipotermia në Luiziana, ndërsa vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tennessee dhe Kansas.

Sipas faqes poweroutage.us, deri të dielën pasdite mbi 800 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë, më shumë se 11 mijë fluturime janë anuluar, ka raportuar FlightAware.

Reshjet e dendura të borës, shiu i ngrirë dhe akulli, një fenomen i rrezikshëm ku pikat e shiut ngrijnë menjëherë sapo prekin sipërfaqet, mund të zgjasin për disa ditë. Stuhia pritet të prekë rreth 180 milionë amerikanë, më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit.

“Bora dhe akulli do të shkrihen shumë, shumë ngadalë dhe nuk do të zhduken së shpejti, gjë që do t’i vështirësojë përpjekjet për rimëkëmbje”, ka deklaruar meteorologia e Shërbimit Kombëtar të Motit, Allison Santorelli, për partnerin mediatik amerikan të BBC-së, CBS News.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com