Reagim i Kryetarit të Komunës së Strugës Mendi Qyra ndaj kumtesës së BDI-së dega në Strugë. Administrata aktuale e Komunës së Strugës e konsideron kumtesën e BDI – Dega Strugë si një përpjekje të pasinqertë për të mbrojtur një sistem të dështuar, i cili për dy mandatet e fundit, 2017-2021 dhe 2021-2025, ka prodhuar pasoja serioze financiare, institucionale dhe morale në arsimin fillor dhe të mesëm në Strugë.
Kryetari i ri i Komunës e ka marrë detyrën në javën e dytë të nëntorit 2025 dhe ka trashëguar një gjendje të rënduar; borxhe të mëdha financiare, rrjet shkollor të paoptimizuar, edhe përkundër rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve kanë rritur në mënyrë të pakontrolluar numrin e të punësuarve me kohë të pacaktuar, shpesh pa kritere profesionale.
Vetëm për vitin 2025, në arsimin fillor janë evidentuar mbi 500 mijë euro borxhe, rezultat i drejtpërdrejtë i vendimeve të papërgjegjshme të administratës së kaluar.
Veçanërisht gjatë dy mandateve të fundit të BDI-së në Komunën e Strugës, arsimi nuk ka qenë prioritet. Përkundrazi…
➢ nuk është bërë asnjë reformë serioze në rrjetin shkollor,
➢ nuk është ndjekur asnjë strategji reale për racionalizimin e paraleleve (klasëve),
➢ është dëmtuar rëndë stabiliteti financiar i shkollave,
➢ dhe mbi të gjitha, është cenuar dinjiteti dhe profesionalizmi i intelektualëve struganë, duke i larguar nga pozicionet meritore dhe duke i zëvendësuar me emërime partiake të pajisur me diploma falso apo të blera.
Ky proces nuk ka qenë i rastësishëm. Ai, për një kohë, ka qenë i koordinuar politikisht mes ish-Kryetarit të Komunës dhe ish-Ministrit të Arsimit, të cilët, në vend të depolitizimit të arsimit, e shndërruan atë në instrument punësimesh klienteliste dhe vendimesh që sot kanë prodhuar një “tërmet financiar” në sistemin arsimor komunal.
Është paradoksale që sot BDI flet për ligjshmëri dhe profesionalizëm, kur pikërisht në periudhën 2017–2025 janë ndërtuar mekanizmat e keqmenaxhimit që administrata aktuale po përpiqet t’i çmontojë. Po aq paradoksale është mbrojtja e një trashëgimie të lidhur me ish-kryetarin e komunës, njëkohësisht ish kryetar i BDI-së në Strugë.
Prandaj, pyetja që shtrohet me të drejtë është:
A duhet të vazhdojë arsimi në Strugë të drejtohet nga të njëjtët drejtorë që kanë keqdrejtuar institucionet arsimore, apo duhet t’u hapet rrugë reformave, ligjshmërisë dhe përgjegjësisë institucionale?
Kush po mbron sot keqmenaxhimin, borxhet dhe politizimin e arsimit; Kryetari i ri i pavarur i Komunës apo BDI e Strugës që për gati 20 vjet ka lënë pas mëkate të rënda institucionale?
Administrata aktuale po vepron në përputhje me ligjin, Strategjinë Nacionale për Arsim dhe interesin publik. Çdo vendim është i bazuar në përgjegjësi institucionale dhe jo në pazare politike. Çdo shkelje e trashëguar do të trajtohet institucionalisht dhe do të zbardhet në kohën e vet.
Komuna e Strugës do të punojë për të gjithë njëlloj.
Prioritet mbetet arsimi, nxënësit, mësimdhënësit dhe rikthimi i dinjitetit profesional në institucionet arsimore.